Analistët: Po tregohen të pasinqerta me elektoratin
Dialogu Prishtinë-Beograd është një ndër temat kryesore që përmendet cdo ditë, por në fushatë zgjedhore nuk po përmendet fare.
Qytetarët nuk po informohen nga partitë politike se cila do të jetë qasja e tyre karshi dialogut.
Të vetmet parti që e kanë përmendur dialogun janë Lidhja Demokratike e Kosovës e cila premton se kjo çështje do të përmbyllet brenda vitit 2021 nëse ata qeverisin me vendin, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës ka përmendur faktin se asnjë marrëveshje finale me Serbinë nuk mund të përmbyllet pa qenë PDK në qeveri për t’i udhëhequr këto procese.
Megjithatë edhe këto dy parti janë fokusuar më shumë te premtimet për liberalizim vizash. Partitë tjera deri më tani nuk e kanë thënë asnjë fjalë për dialogun para elektoratit.
Analisti dhe profesori i gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Rrahman Pacarizi e vlerëson se partitë politike po tregohen të pasinqerta karashi votuesve.
“Arsyeja kryesore pse partitë politike nuk e kanë bërë dialogun pjesë të fushatës së tyre është se është çështje jopopullore dhe e cila do t’iu humbte vota”.
Thotë se kjo çështje varet edhe nga bashkësia ndërkombëtare, ndërsa premtimet e dhëna në fushatë mund të mos realizohen.
“Është një çështje për të cilën partitë politike e dinë se nuk është në dorën e tyre tërësisht, varet nga raportet e forcave nga bashkësitë ndërkombëtare posaçërisht raportet ndërmjet SHBA-së e cila ka administratë të re dhe shteteve të BE-së që është e paunifikuar në këtë çështje”.
Edhe Visar Ymeri, njohës i çështjeve politike, mendon se partitë politike nuk po e përmendin qëllimisht dialogun pasi sipas tij mund të dënohen nga elektorati.
“Partitë politike duhet të mendojnë mirë dhe qartë dhe t’u tregojnë qytetarëve se çka e kanë ndërmend të bëjnë me dialogun me Serbinë. Pra siç e dimë tri qeveritë e fundit, përjashto qeverinë Hoti, janë rrëzuar si pasojë e dialogut. Të gjitha arsyetimet tjera janë dytësore”.
Dialogu Prishtinë-Beograd ka filluar në vitin 2011 ku janë nënshkruar shumë marrëveshje por shumica prej tyre nuk janë zbatuar në praktikë.
Tv Klan