6 persona janë arrestuar nga Policia e Tiranës pasi dyshohet se kundrejt pagesave që arrinin deri në 6 mijë Euro, prodhonin passaporta të falsifikuara amerikane, italiane, angleze, rumune dhe shqiptare.

Grupi i personave të prangosur në përbërje të së cilit kishte 4 shqiptarë dhe 2 shtetas te Kosovës, krahas pasaportave, prodhonin dhe dokumente të tjera identifikues si dhe viza kundrejt vlerave që arrinin deri në 2 mijë Euro.

Nga hetimet e sektorit të krimit ekonomiko-financiar në Policinë e Tiranës, rezultoi se të arrestuarit pasi merrnin porosi nga personat që shprehnin interes për dokumenta false, i prodhonin ato në dy bazat e tyre, të ngritura në Kosovë dhe Bullgari.

Gjatë operacionit, uniformat blu gjetën 15 dokumente false të shteteve të BE dhe SHBA, si dhe mjete të tjera identifikuese të tyre. Gjithashtu të arrestuarve iu sekuestruan dhe 7 celularë të cilët janë dërguar për ekspertim, pasi ka dyshime se në këtë aktivitet kriminal ka dhe persona të tjerë të përfshirë.

Tv Klan