Shqipëria është vendi ideal për pushime. Kështu thuhet në një shkrim të botuar në të përditshmen britanike “Express”. Vendi ynë rekomandohet si një “parajsë” të fshehur e cila cilësohet si “shtëpia e ujërave më të pastra në Evropë”.
“Kur sheh sa bukur duket Shqipëria, është e lehtë të kuptosh pse turistët po bien në dashuri me të, pasi duket sikur je duke ecur përgjatë një plazhi në Maldive”, thuhet në shkrim.
“Express” ndalet edhe në efektin që ka pasur promovimi i Shqipërisë në rrjetet sociale. Videot e publikuara në Tik Tok dhe që tregojnë bukuritë e bregdetit të Ksamilit janë parë dhe komentuar nga qindra mijëra persona.
Gazeta britanike shkruan se Shqipëria gëzon një pozitë të favorshme gjeografike pasi laget nga deti Adriatik dhe jon.
Në artikull theksohet se Shqipëria është një vend i sigurt për t’u vizituar, duke specifikuar faktin se marrëdhëniet mes besimeve të ndryshme fetare janë përgjithësisht të mira dhe shprehja e pikëpamjeve ekstremiste apo antiperëndimore është shumë e rrallë.
Po ashtu vlerësohet se incidentet apo krimet që synojnë turistët janë shumë të rralla.
Tv Klan