Anila Çekrezi ka treguar në “Historia ime” në Tv Klan vështirësitë që ajo dhe familja e saj kanë kaluar kur shkuan për azil në Francë. Varfëria e madhe dhe vdekja e djalit të saj vetëm 12 vjeç, e bënë të pamundur jetesën e kësaj familjeje në Shqipëri.

Por jetesa në Francë nuk ishte aspak ashtu si ata e kishin menduar. Për 2 muaj janë endur rrugëve dhe më pas shteti iu dha një shtëpi. Atëherë kur menduan se gjërat po shkonin mirë, Anila filloi të kishte dhimbje nga dhëmballa. Mendoi se pas një kontrolli tek dentisti, gjithçka do rregullohej, por nuk ishte kështu. Doktori pasi e kontrolli vendosi ta hiqte, por menjëherë pas kësaj për të nisi një kalvar vuajtjesh dhe dhimbjesh.

Anila Çekrezi: Ne ishim shumë të këputur, si ekonomikisht, si psikologjikisht, çdo gjë, kishim mbaruar. Më tha motra: O Anil të ikim në azil në Francë siç ikin gjithë shqiptarët. Atje shkuam, me vuajtje, me lekë borxh.

Mirela Milori: Pra vendosët të emigronit? Të iknit në Francë?

Anila Çekrezi: Po mbasi lindi dhe djali, Emanuelin e kisha 1 vjeç.

Mirela Milori: Në çfarë viti bëhej fjalë?

Anila Çekrezi: Në 12 Shkurt 2017. Nuk kisha zgjidhje tjetër.

Mirela Milori: Si ikët?

Anila Çekrezi: Me anije kaluam, me borxhe. Normal do ikja si turist.

Mirela Milori: Ku jetuat ju?

Anila Çekrezi: Ne kemi sakrifikuar si gjithë shqiptarët rrugëve. Nuk është kollaj bota. Kemi ndenjur nëpër spitale me fëmijë të vogël, ishte Emanueli me temperaturë. Motra i kishte me temperaturë, se ishte ftohtë, ishte Shkurt. Mbas një muaji-dy muajsh më ka marrë shteti dhe më ka thënë: Ju ka dalë shtëpia.

Mirela Milori: Si ishte jeta fillimisht në këtë shtëpi?

Anila Çekrezi: Je i mbrojtur nga shteti, të jep ushqim. Shkonim tek kursi dy ditë në javë. Fëmijët hynë secili në shkollë, kishin psikolog. Ne që kishim humbjen e djalit, kishim çdo të enjte mbasdite psikologun. Mirë ishim.

Mirela Milori: Sa ishte kjo periudhë?

Anila Çekrezi: Në Shkurt kemi shkuar, gjithsej kemi ndenjur 2 vite e gjysmë në Francë.

Mirela Milori: Pate një problem shëndetësor?

Anila Çekrezi: O Zot i madh nuk e di! Isha mirë, shkonim në kishë dhe luteshim.

Mirela Milori: Duket sikur ju kthye jeta për mbarë!

Anila Çekrezi: Po shumë mirë!

Mirela Milori: Çfarë ndodhi?

Anila Çekrezi: Në kishë njoha gra shumë të mira, njerëz shumë të thjeshtë, që dhe sot kontaktoj me to. Atje, një ditë nga streset, vuajtjet se nuk është kollaj të rrish në të ftohtë. Dhëmballa e fundit, dhimbje 3 muaj. I thashë asistences sociale: S’jam mirë çfarë të bëj? Do të lë takim dhe të shkosh tek dentisti. Shkoj me vajzën e madhe dhe i them kam shumë dhimbje. Tha do hequr. Jo i thashë se kam frikë. Kam pasur shumë dhimbje. Jo do ta heqësh tha. Kaq ulu tha, më bëri anestezinë, edhe më ra të fikët pastaj. Nuk e di. Pastaj më tha një ilaç, më ka thënë do pish dy kokrra për infeksion. I thashë si ma hoqe ti, kur e kam me infeksion? Ec, ec tha shko në shtëpi, pi këto. Vajta në shtëpi e piva dhe rashë ne gjendje kome, s’mbaj më mend gjë pastaj.

Mirela Milori: Si pive ilaçin dhe?

Anila Çekrezi: Si piva ilaçin rashë në gjendje të fikëti. Më çuan në urgjencë. Atje 3 ditë në gjendje të rëndë. U përmirësova, më sollën në shtëpi. Më thanë ka patur alergji, jo nga anestezia, nuk më tregonin domethënë.

Mirela Milori: Po çfarë të thanë në diagnozë. Nga se t’u shkaktua kjo?

Anila Çekrezi: Asgjë vetë nervore thoshin. Si përfundim më dhanë shumë ilaçe, për një kohë të gjatë. S’isha mirë, ikja dhe rrëzohesha. Kam vuajtur shumë, që nga ajo ditë e mbrapa, u nxi prapë jeta ime. Vetëm marrje mendsh dhe dhimbje koke e tmerrshme./tvklan.al