Partia Demokratike vijon me akuzat për kryebashkiakun e zgjedhur të Vorës Agim Kajmaku dhe Kryeministrin Edi Rama.
Ish-deputeti demokrati Klevis Balliu thotë se Kryeministri vazhdon mos të reagojë për Agim Kajmakun, për të cilin PD publikoi fakte se është i kërkuar nga autoritetet greke për falsifikim parash, por me emrin Jorgo Toto.
Në një deklaratë nga selia blu, Balliu tha se Agim Kajmaku mbrohet nga Kryeministri Rama.
“Organizata kriminale e Rilindjes po zbaton kodin mafioz të heshtjes, Omerta, për të mbrojtur të arratisurin nga drejtësia greke, Jorgo Toto, të cilin të konvertuar në Agim Kajmaku, shefi i organizatës Edi Rama ia ka servirur Vorës për kryetar bashkie. Kryeministri i të inkriminuarve nuk guxon të thotë asnjë fjalë! Provat e publikuara nga Partia Demokratike nuk mundet ti kundërshtojë dhe as ti mohojë dot. Edi Rama flet për gjithçka, por nuk guxon të thotë asnjë fjalë për Jorgo Kajmakun. Kyç gojën sepse ai e di se “Gimi është njësoj si ai”. Shefi i bandës së Rilindjes hesht sepse Agim Kajmaku është fytyra e tij. Edi Rama nuk thotë dot asnjë fjalë, se nga shporta e tij kriminale u sërvir shqiptarëve vetëm Elvisë, Vangjushë, Saimirë, Arbenë, Damianë, Valdrinë dhe Kajmakë. Jorgo Toto mbrohet nga kryeministri i ardhur në pushtet me krimin, sepse ai është simboli i modelit me të cilin qeveris Shqipërinë prej 6 vitesh”, tha ndër të tjera ish-deputeti Klevis Balliu. /tvklan.al