Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Hetim nga prokuroria dhe KLSH mbi vendimet e fundit të kryeministrit Nano për prokurimet e drejtpërdrejta në 10 akse kryesore rrugore. Forcat e djathta kanë kërkuar qartësi dhe transparencë, rreth asaj që kryeministri është bërë shkelës i ligjit. Për një nga ekonomistët e PD, sekretarin e përgjithshëm Ridvan Bode, vendimet e marra në fshehtësi janë faktori i nxitjes së korrupsionit, por që përdoren dhe për qëllime të tjera nga kryeministri Nano.

Ridvan Bode: “Ne akuzojmë kryeministrin Nano dhe qeverinë e tij, se po përdor për qëllime elektorale në funksion të manipulimeve të zgjedhjeve të ardhshme fondet publike dhe kjo përbën një kërcënim plus për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të drejta në vitin që vjen. Se përdorimi në këtë mënyrë i fondeve publike, përbën një dhunim jo vetëm të kuadrit ligjor dhe jo vetëm të prioriteteve të ekonomisë së vendit, por dhe të angazhimeve të deklaruara nga qeveria, për mënyrën e përdorimit të fondeve publike në momentin e ndryshimit të buxhetit të shtetit në vitin në vijim”.

Abuzimi i fondeve publike dhe mohimi i tenderit të hapur është për Partinë Demokratike dhunimi i përcaktimeve ligjore. Edhe sekretari për mediat në Partinë Demokrate të Re, denoncon prokurimet e drejtpërdrejta të kryeministrit që sipas ekspertëve, vlera e llogaritur për to është rreth 30% më e lartë se procedura e tenderit të hapur./tvklan.al

Gazetare: Holta Zhiti