Partia Demokratike i ka kërkuar institucioneve ndërkombëtare të ndërhyjnë për të ndalur dhunën që ajo thotë se qeveria po ushtron ndaj përfaqësuesve të medias. Ish-deputetja Albana Vokshi në një dalje për mediat duke iu referuar disa prej rasteve të fundit të gazetarëve të dhunuar foli për një gjendje të përkeqësuar të lirisë së medias.
“Nën modelin e dhunës që Rama përçon çdo ditë ndaj mediave dhe gazetarëve, Kryebashkiakë socialistë, oficerë policie, punonjës sigurie kanë kërcënuar me arrestime, varje në litar dhe kanë goditur deri në gjakosje gazetarë dhe fotoreporterë në detyrë. Arsyeja e vetme e dhunës: pengimi për informimin e publikut për protestat e opozitës, korrupsionin dhe abuzimet e qeverisjes së Ramës.
Partia Demokratike u kërkon këtyre institucioneve, Komisionit Europian, Parlamentit Europian, OSBE-së, Këshillit të Europës, Komisionit të Helsinkit të Kongresit amerikan, Human Right Watch, Amnisty International, Reportereve pa Kufij që të ushtrojnë të gjithë presionin e tyre për t’i kërkuar Edi Ramës dhe Qeverisë të ndalin dhunën ndaj gazetarëve dhe mediave!”
Për demokratët sulmi i kryeministrit ndaj medias orientohet nga diktati që opozita thotë se kryeministri po kërkon të vendosë ndaj zërit kritik ndaj qeverisë.
Tv Klan