Olta Myslimi është një shqiptare që jeton në Kamboxhia prej 2 vitesh dhe punon si pedagoge dhe jep lëndët e ekonomiksit dhe marketingut.
Në një lidhje me Skype për emisionin Opinion në Tv Klan, ajo tregon se si shkoi në Kamboxhia pas një eksperiencë që kishte në Kinë.
“Prej 2 vitesh jetoj dhe punoj në Kamboxhia. Udhëtimi im i parë ka qenë gjatë qëndrimit në Kinë, erdha me pushime për të vizituar tempullin, edhe ngjalli një interes të veçantë pasi është një kulturë tepër e pasur dhe u ktheva në Shqipëri për shkak të Covidit. Mendova pse jo të eksploroj një kulturë që nuk jemi hasur. Unë jam profesore në departamentin e biznesit dhe jap lëndën e ekonomiksit dhe marketingut.
Në Kinë, gjatë studimeve të Bachelor në Fakultetin e Ekonomisë na u dha mundësia për të studiuar gjuhën kineze dhe pedagogia m’u afrua dhe më sugjeroi të punoja si pedagoge në Kinë. Dhashë mësim. Ishte viti 2017, pas mbarimeve të studimeve të Bachelorit. Ka qenë një kulturë tepër e ndryshme edhe pse nuk e kam pasur problem pjesën e adaptimit. Kina ka qenë një pasion i madh. Realiteti ishte shumë herë më mirë se sa e imagjinova, janë njerëz shumë mikëpritës, sidomos stafi akademik i universitetit më qëndronin pranë. Janë shoqëri vertetë mikpritëse. Pjesa e ushqimit kërkoi kohën e vet për t’u përshtatur. Midis periudhës së Kinës dhe Kamboxhias bëra dhe studimet e masterit në Spanjë. Jeta në Kamboxhia është fantastike. Aziatikët janë njerëz tepër miqësorë, tepër të afërt. Jam vërtetë shumë e kënaqur me jetën këtu, me kolegët dhe shoqërinë”.
Por cilat janë diferencat mes Shqipërisë dhe Kamboxhias dhe çfarë kanë të përbashkët?
“Diferenca kulturore janë ndoshta dhe pak më të tërhequr, por doja të theksoja pjesën e gjërave që kemi të përbashkëta dhe njëra nga ato është afërsia që kemi me familjen, respekti që kemi ndaj prindërve, gjë që është diçka shumë e vështirë për ta gjetur në vendet Perëndimore. Baza familjare është e fortë. Prindërit kanë dashur të vijnë por për arsye shëndetësore e kanë pasur të pamundur por kam shumë dëshirë të më vizitojnë së shpejti. Azia është vërtetë një kontinent shumë i bukur”.
A mendon Olta të kthehet në Shqipëri?
“Jetës asnjëherë nuk i dihet edhe pse do doja të jetoja jashtë pasi bota ka kaq shumë mundësi. Shqipëria asnjëherë nuk ikën nga lista për t’u kthyer”.
Vendi i radhës ku Olta Myslimi do donte të shkonte për të jetuar dhe punuar është Australia.
/tvklan.al