Andi Hoxhaj është një shqiptar nga Vlora që jeton dhe punon prej vitesh në Londër të Britanisë së Madhe.
Në një lidhje me Skype për emisionin Opinion në Tv Klan, Andi Hoxha tregoi se si ka shkuar në Angli.
“Unë kam ardhur në vitin 2004 në Londër. Kam ardhur me studime në moshën 16 vjeç. Pas masterit ideja ishte që të kthehesha në Shqipëri, por më doli doktoratura dhe ngela këtu. Unë jam pedagog, jap 3 lëndë dhe merrem dhe me kërkim shkencore”.
Andi Hoxhaj është dekoruar edhe nga Mbreti i Mbretërisë së Bashkuar për rolin që ka luajtur për të forcuar marrëdhënien Shqipëri-Britani e Madhe.
“Mbreti më ka dekoruar për marrëdhëniet shqiptaro-britanike. Në 2 vitet e fundit unë ka punuar goxha me ambasadën britanike në Tiranë si të rrisim marrëdhëniet me Shqipërinë, kryesisht në fushën e arsimit”.
Ai tregon se në Britani jetojnë më shumë se 140 mijë shqiptarë.
“Sot flitet që janë 142 mijë, por disa thonë që janë edhe 180 mijë shqiptarë. Nga 2010 janë kryesisht brez që kanë ardhur për studime dhe janë goxha aktivë. Është goxha i organizuar komuniteti shqiptar në Britaninë e Madhe. Ka shumë shqiptarë që jetojnë në Londër. Në universitetin tim ka edhe 2 kolegë të tjerë shqiptarë që japim mësim, ndërsa studentë unë kam patur nderin të kem patur disa studentë shqiptarë dhe janë goxha ambiciozë”.
Nga Shqipëria, Andi Hoxhaj thotë se i mungon familja, afërsi me njerëzit dhe klima.
/tvklan.al