Ish-Presidenti Ilir Meta do të dalë nesër për disa orë nga qelia ku po qëndron, për t’u dërguar në ambientet e Prokurorisë së Posaçme.

Gazetarja e Klan News, Glidona Daci, mëson se Meta do të paraqitet në SPAK në orën 10:00.

Ilir Meta do të pyetet nga prokurorët e posaçëm në lidhje me dosjen “CEZ-DIA”, për të cilën dhe akuzohet.

Ish-Presidenti u arrestua më 21 Tetor 2024 në ish-sheshin “Shqiponja” dhe ndodhet në qeli në masën e sigurimit “arrest në burg”.

SPAK e akuzon Ilir Metën se ka ndërmarrë veprime korruptive për kontratën CEZ-DIA në kohën kur ka qenë ministër i Energjetikës gjatë qeverisjes Berisha 2.

Ish-Presidenti reagoi në rrjetet sociale nga qelia për marrjen në pyetje ditën e martë, duke thënë se do të jetë ai që do t’i marrë në pyetje hetuesit.

“Sapo mësova nga mediat e regjimit, që nesër unë, lideri i Partisë së Lirisë, forcës së dytë opozitare dhe forcës së tretë politike në vend, qenkam thirrur për t’u pyetur nga organizata kriminale SPAK, e cila firmosi rrëmbimin tim të paligjshëm dhe banditesk. Padyshim që do jem atje për t’i marrë unë në pyetje dhe pas kësaj seance jam i hapur për çdo pyetje nga mediat që do të jenë të pranishme”, shkruhet në Facebook-un e Ilir Metës.

/tvklan.al