Rilindja Demokratike, organi zyrtar i shtypit i selisë blu e nxori botimin e saj të parë në 5 Janar të 1991, duke u bërë gazeta e parë e lirë pas rënies së regjimit komunist.
Një prej gazetarëve që ka botuar shkrimet e tij 34 vite më parë në këtë të përditshme është dhe Blendi Fevziu, i ftuar të mbante një fjalim në këtë përvjetor.
“Kjo ishte shenja e parë e shtypit të lirë. Mitro e tregoi shumë bukur atë natën e shtypshkronjës, ishte një natë shumë e vështirë në fakt sepse gjithsecili kishte ardhur me shkrime më vete dhe gjithsecili nuk donte që t’i shkurtohej shkrimi, por po të botoheshin shkrimet e të gjithëve, gazeta do të dilte nja 100 faqe”, tregoi Fevziu.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ngre shqetësimin për censurën që po sfidon çdo ditë lirinë e medias, e me sinqeritet pohon që nuk është, sipas tij, një problem vetëm shqiptar.
“E vërteta tmerrësisht e hidhur është se për censurën në mënyrën më marrëzore filloi të flitet edhe në vendet e lirisë. U krijuan zyra në zemër të atyre institucioneve që duhej të kishin mision të parë të kundërtën”, tha Berisha.
Luftë ndaj fjalës së lirë, lideri demokrat cilëson dhe mungesën e përballjeve televizive mes kundërshtarëve politikë.
“Qeveritarët nuk paraqiten më në debatet televizive se vjedhjet e tyre nuk kanë mundësi t’i mbrojnë”, tha Berisha.
Ai akuzoi jo vetëm kryeministrin Edi Rama, por dhe familjarë të tij, se çdo ditë sipas tij janë në frontin e parë të luftës kundër fjalës së lirë. E një formë të përpjekjeve për censurë, ai vlerëson Komisionin e Posaçëm Kundër Dezinformimit.
Tv Klan