Teksa në studion e “Opinion” në Tv Klan po diskutohet për çështjen “Beleri” dhe kandidimin e tij si eurodeputet në zgjedhjet evropiane të 9 Qershorit nga partia e djathtë “Demokracia e Re” nga kryeministri grek, Mitsotakis, Shpëtim Idrizi e ka sjellë fokusin tek ajo që njihet si masakra e Peshkëpisë.
I ftuar në emision, kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi ka thënë se nuk mund ta lërë dot mënjanë akuzën e Fredi Belerit për masakrën e Peshkëpisë teksa ka shtuar se dosja për këtë çështje është zhdukur.
Në këtë moment, ka ndërhyrë Sekretari i OMONIA-s, Marin Suli që ka thënë se sipas tij, dosja është zhdukur në Ministrinë e Brendshme. Nga ana tjetër, Idrizi ka fajësuar SPAK-un që nuk po heton zhdukjen e dosjes, ndërsa ka thënë se Prokuroria e Posaçme ka zgjedhur të pushojë çështjen në fjalë.
Shpëtim Idrizi: Nuk e lëmë dot mënjanë akuzën që ky ka për masakrën e Peshkëpisë.
Marin Suli: Nuk ka akuzë, është e stisur. Ju i pari si deputet duhet të bëni presion që ajo çështje të hetohet dhe të gjenden vrasësit.
Shpëtim Idrizi: Nuk është faji i Belerit, është faji jonë dhe i shtetit shqiptar për qëndrimet që mbajmë sepse e ka hapur 3 herë ky SPAK-u dhe e ka mbyllur sepse Prokuroria shqiptare i ka çuar një letër rekomandimi Prokurorisë së Greqisë për të kuptuar numrat e këtyre 7 kallashnikovëve që ishin aty, Greqia nuk i kthen përgjigje. Është pushuar dosja, por ndërkohë është akt zyrtar që është vjedhur dosja e Belerit në gjykatë.
Blendi Fevziu: Si është vjedhur?
Shpëtim Idrizi: Po, po është zhdukur.
Marin Suli: Jo, po abuzon. Ka humbur në arkivën e Ministrisë së Brendshme dosja me gjithë gëzhojat, me gjithë fishekët e 1995-ës. Po për këtë e ka fajin Beleri?
Blendi Fevziu: Si, dosja e Peshkëpisë është zhdukur?
Shpëtim Idrizi: Fajin e ka ky SPAK-u që kur i zhduket dosja dhe kur nuk i sjellin përgjigje, e pushon çështjen. SPAK kur mbyll çështjen e Belerit, është i mirë. Po kur ky SPAK-u e kap Belerin me 90 vota dhe e çon në gjykatë dhe gjykata për herë të tretë e dënon, paska një SPAK të mirë dhe një të keq.
Marin Suli: SPAK-u ka abuzuar 2 herë me Belerin, në rastin kur i mbylli çështjen e Peshkëpisë, ja mbylli gjoja me parashkrim, nuk mund ta parashkronte diçka që thotë prokurori i çështjes, nuk janë gjetur prova që lidhin personin me faktin penal. Në 1996, po qe se Beleri ka qenë i aftë të zhdukë prova, të vrasë e t’i bëjë të gjitha, si ju del heaspi, edhe në Ministrinë e Brendshme kontrollonte arkivën? Janë zhdukur gëzhojat e fishekëve në ministri.
/tvklan.al