Nga Partia Popullore Europiane po nisin përpjekjet për t’i hequr Hungarisë të drejtën e votës në marrjen e vendimeve në Këshillin Europian. Nisma është e Riho Terrasit, eurodeputetit estonez të Partisë Popullore Europiane, i cili u dërgoi një letër kolegëve në Parlamentin Europian, por edhe krerëve në detyrë të institucioneve europiane.
Kërkesa ka të bëjë me vizitat më të fundit të Orbanit në Ukrainë, Rusi dhe Kinë, ku ndër të tjera u përpoq të merrte një rol ndërmjetësuesi dhe të fliste në emër të Bashkimit Europian, për të nxitur arritjen e paqes mes Kievit dhe Moskës.
Në letrën e tij, Terras shprehet se pavarësisht se Hungaria ka presidencën e radhës të unionit, Orban nuk ka asnjë mandat për të ndërmarrë nisma me vullnetin personal pa aprovimin e vendeve anëtare. Përfaqësuesit e disa prej vendeve të unionit paralajmëruan se mund të kërkojë edhe përfundimin para kohe të presidencës së Hungarisë.
Traktati themelues i Bashkimit Europian i parashikon këto masa ndëshkuese ndaj një vendi anëtar, nëse shkelen parimet themeltare të unionit. Analistët thonë se me këto nisma, Orban po përpiqet të faktorizojë grupin e radikalëve të djathtë të sapoformuar në Parlamentin Europian, me nismën e tij.
Tv Klan