Tre gjyqtarë të Gjykatës së Apelit Durrës janë pezulluar nga detyra. Ata janë Petrit Çeno, Kliton Spahiu dhe Petraq Dhimitri dhe akuzohen nga Prokuroria për Krimet e Rënda për korrupsion. Vendimi u mor sot këtë të premte nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.
Në një njoftim zyrtar thuhet se
“nën drejtimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, zhvilloi sot, datë 09.02.2018, mbledhjen plenare, ku ndër të tjera pezulloi nga detyra tre gjyqtarë të Gjykatës së Apelit Durrës, Petrit Çeno, Kliton Spahiu dhe Petraq Dhimitri”.
Ky vendim, sqarohet më tej, erdhi pasi anëtarët e Këshillit u njohën dhe shqyrtuan informacionin e ardhur nga Drejtuesi i Prokurorisë së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, me datë 06.02.2018, ku njoftohej marrja si të pandehur të tre gjyqtarëve të sipërcituar.
Duke qenë se një nga gjyqtarët e pezulluar ushtron edhe detyrën e kryetarit të Gjykatës së Apelit Durrës, Këshilli caktoi gjyqtarin Desart Avdulaj, për të ushtruar përkohësisht detyrën e kryetarit së kësaj gjykate.
/tvklan.al