Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të premte në Kallmet të Lezhës.

Administratori i kësaj njësie, Besnik Simoni, 41 vjeç, është plagosur me armë zjarri. Policia ka njoftuar se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti verbal që ka nisur në zyrën e tij.

Uniformat blu kanë identifikuar autorin e dyshuar dhe po punojnë për kapjen e tij. Gazetarja Vera Deda raporton se autori i dyshuar quhet Altin Marku.

Sipas policisë, Simoni është plagosur në rrugë. Gazetarja Deda nga informacionet paraprake që ka mësuar thotë se administratori i Kallmetit ka marrë 3 plumba sapo ka hipur në makinën e tij.

Ai është dërguar menjëherë në spital. Gjendja e tij shëndetësore paraqitet e stabilizuar dhe ndodhet në spitalin e Traumës.

Në vendin e ngjarjes ka shkuar policia dhe po vijon hetimet. Po ashtu uniformat blu po krehin zonën për të bërë të mundur kapjen e autorit./tvklan.al