Ndryshe nga herët e tjera, Papa Françesku, i cili sërish ka shfaqur simptomat të ftohjes e drejtoi meshën e së dielës nga rezidenca e tij në Vatikan. Besimtarët sfiduan motin e ftohtë dhe u mblodhën në Sheshin e Shën Pjetër në Vatikan për të dëgjuar mesazhin e Papës. Nga rezidenca e tij, Papa dha një mesazh për konfliktet globale ndërsa bëri thirrje për paqe.
“Ukraina vazhdon të përballet me sulmet në qytetet e saj, ndonjëherë duke dëmtuar shkollat, spitalet dhe kishat. Le të heshtin armët dhe le të kumbojnë këngët e Krishtlindjeve. Le të lutemi që Krishtlindjet të sjellin një armëpushim në të gjitha frontet e luftës. Me pikëllim, mendoj për Gazën, për aq shumë mizori, për fëmijët e vrarë, për bombardimet e shkollave dhe spitaleve”.
Ditët në vijim priten të jenë veçanërisht intensive sepse përveç shërbesave të rregullta të Krishtlindjeve, Papa do të shënojë edhe fillimin e Vitit të Shenjtë apo Jubileut në prag të Krishtlindjeve, më 24 dhjetor. Papa do të hapë derën prej bronzi të Bazilikës së Shën Pjetrit, e cila simbolizon portën e shpëtimit për katolikët dhe normalisht është e vulosur, për fillimin e Jubileut. Ngjarja, e cila zhvillohet një herë në çdo çerek shekulli, pritet të grumbullojë mbi 32 milionë pelegrinë në Romë.
Ati i Shenjtë pritet të kryesojë një ceremoni në Bazilikën e Shën Pjetrit për leximin e dokumentit zyrtar papal që parashtron temën shpirtërore të shpresës për vitin. Për Vatikanin, Viti i Shenjtë është një traditë shekullore e besimtarëve që bëjnë pelegrinazhe në Romë për të vizituar varret e shenjtorëve Pjetër dhe Pal.
Klan News