Presidenti i parë afro-amerikan i Shteteve të Bashkuara mund të vizitojë Shqipërinë ose Kroacinë në muajin Prill, menjëherë pas samitit të NATO-s që do të mbahet në Strasburg.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat kroate, të cilat i referohen burimeve të afërta me Shtëpinë e Bardhë. 

Sipas të dhënave më datë tre dhe katër Prill Obama do të takojë liderët e vendeve anëtare të NATO-s që me futjen e Shqipërisë dhe Kroacisë festojnë 60-vjetorin e themelimit të organizatës.

Menjëherë më pas thotë gazeta “Javno” Obama do të kalojë disa orë ose në Shqipëri ose në Kroaci.

Vizita e presidentit Barack Obama, i sapo emëruar në detyrë, do të jetë e para në këtë rajon.

Ndalesa e tij në Zagreb ose në Tiranë do të jetë një shenjë e fuqishme mbështetje ndaj këtyre dy vendeve që në muajin Prill do të bëhen anëtare fuqiplota të Aleancës së Veri-Atlantikut.

Kjo vizitë do të vulosë edhe më tej vlerësimet jo vetëm të Uashingtonit, por edhe të NATO-s për arritjet e dy vendeve në përmbushjen e reformave. 

Vlerësimet për këto të fundit i dha vetë personalisht ish-presidenti amerikan, Xhorxh W Bush, në një vizitë historike në Qershor të vitit 2007 gjatë takimit me kryeministrin Berisha, ku edhe u mor garancia për futjen e këtyre dy vendeve në Aleancën e Veri-Atlantikut.

Megjithatë gazeta “Javno” dhe “Jutarnji List” thonë se nëse për ndonjë arsye organizative nuk arrihet dot realizimi i kësaj vizite me përmasa historike për të gjithë rajonin, kryeministri Sali Berisha dhe ai kroat Ivo Sanader do të marrin një ftesë të veçantë nga presidenti Obama për të vizituar dhe takuar kreun e Shtëpisë së Bardhë./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle