Dy ditë pasi kryeministri Edi Rama i la mbi tryezë ndryshimet e qeverisë që u propozuan prej tij në kongresin e PS, Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar ministrat e rinj.
Kreu i Shtetit mori kohë për të bërë dhe verifikimin sipas procedurave për ministrat e rinj, konkretisht për Ervin Hoxhën i cili zëvendësoi në detyrën e ministrit të Brendshëm Taulant Ballën, Pirro Vengu që pasoi në detyrën e ministrit të Mbrojtjes Niko Peleshin dhe Petrit Malajn i cili zëvendëson Ervin Meten në detyrën e ministrit të Financave.
Pas dekretimeve nga Presidenti, priten që ndryshimet në qeveri të miratohen pasditen e sotme në parlament. Këto ndryshime kërkojnë 71 vota. Ndërsa ende nuk është e qartë nëse opozita do të marrë pjesë ose jo në këtë seancë të jashtëzakonshme.
Në kuadër të ndryshimeve të bëra në kongresin e PS, kryeministri Edi Rama njoftoi se Elisa Spiropali do të jetë kryetarja e re e Parlamentit, duke pasuar në këtë detyrë Lindita Nikollën e cila dha dorëheqjen për shkak të problemeve shëndetësore.
Taulant Balla u largua nga detyra e ministrit të Brendshëm dhe u zëvendësua nga Ervin Hoxha. Balla do të mbajë detyrën e ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, që më parë mbahej nga Spiropali.
Niko Peleshi u largua nga detyra e ministrit të Mbrojtjes, duke u zëvendësuar nga Pirro Vëngu. Peleshi do të jetë kryetari i grupit parlamentar të PS, post që mbahej nga Bledi Çuçi. Ky i fundit do të jetë nënkryetar i Parlamentit ndërsa Petrit Malaj zëvendësoi në detyrën e ministrit të Financave, Ervin Meten.
Emrat e rinj nuk vijnë nga radhët politike të PS. Petrit Malaj ka mbajtur detyrën e drejtorit ekzekutiv në Agjencisë së Burimeve Natyrore. Ervin Hoxha mbante postin e drejtorit të Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit ndërsa Pirro Vengu ishte Drejtori i Autoritetit Portual Durrës.
Klan News