Nisja e seancë parlamentare u shënua me debate nga të dyja palët në Kuvend. Deputeti i Partisë Demokratike, Asllan Dogjani, iu drejtua kryeparlamentares, Elisa Spiropali se vazhdon që të shkelë rregulloren.
“Përjashtimi i 24 deputetëve me urdhrin tuaj provoi që largimi i zonjës Nikolla nuk ishte se ishte e sëmurë, por e detyruat të jepte dorëheqjen sepse Rama donte një ushtar si puna juaj”, tha ai.
Duket se opozita do ta përdorë si “kalë beteje” vendimin e Gjykatës Administrative që riktheu në kuvend deputetët e përjashtuar. Edhe Ina Zhupa u shpreh se Spiropali ka shkelur kushtetutën teksa akuzoi mazhorancën se shkel vendimet e gjykatave.
“Zonja Spiropali nuk do ju drejtohemi më me zonja kryetare, do jesh thjesht zonja Spiropali. Keni shkelur Kushtetutën, rregulloren dhe keni kërkuar ta ktheni parlamentin në një seksion të PS duke përjashtuar deputetët e opozitës. Opozitës i vutë Policinë e Shtetit, forcat speciale, Gardën, kangjella dhe këtu mbanit fjalim ku thoni që duam të flasim me opozitën. Sa false dilni tashmë pas vendimit të gjykatës”, tha Zhupa.
Përgjigje opozitës i ktheu kreu i grupit parlamentar të PS-së, Niko Peleshi. Ai u shpreh se vendimi i Gjykatës Administrative për mazhorancën është i gabuar, por standardi i socialistëve është që të mos djegin karriget siç bëjnë demokratët sipas tij. Peleshi argumenton se gjykata ka marrë atributet e një Kuvendi.
“Ne kemi një standard. Pavarësisht një flagrance apo një vendimi të një Gjykate Administrative që zhbën apo deformon një vendim të Sekretariatit të Etikës ju sot jeni këtu dhe ne nuk po djegim karriget tona për t’u revoltuar ndaj një vendimi gjykate. Mund të kemi mendime të ndryshme, mund të mos jetë dhe i drejtë një vendim gjykate siç është rasti sot, por ne duhet të vendosim një standard normaliteti, të mos djegim karrigen kur nuk jemi dakord me një vendim gjykate. Të ndjekim procedurën. Ne do ndjekim procedurën. Kuvendi do duhet të ndjekë procedurën ndaj një vendimi që vendos precedent të rrezikshëm, jo për ne, jo për sot, po për ju sot që jeni këtu dhe nesër në çfarëdo pozicioni të jeni në të ardhmen. Ky precedent që një Gjykatë Administrative merr atributet e një Kuvendi dhe vendos ne nuk jemi dakord dhe nuk duhet të vendoset. Kjo nuk do të thotë që do të mbyllim derën apo të djegim karriget tona”, tha Peleshi.
Peleshi i bëri thirrje opozitës që të vazhdojë diskutimin normal pasi tashmë Kuvendi ka hyrë në punën më të rëndësishme të saj, që është buxheti.
“Ne jemi për normalitet dhe ndjekje procedure. Nëse jeni për normalitet lëreni procedurën të rrjedhë sepse Kuvendi ka vendin e vet të padiskutueshëm, por të vazhdojmë punën tonë sepse jemi në sezonin më të rëndësishëm të punës së Kuvendit. Jemi në diskutime në komisione dhe së shpejti në seancë plenare të buxhetit. Nuk ka një fushëbetejë më të përshtatshme për opozitën për të bërë opozitë apo për mazhorancën për të mbrojtur punën e vet. Ju bëj një kërkesë shumë qytetare ta lemë këtë diskutimin e masave disiplinore dhe të vazhdojmë diskutimet në komisione për buxhetin”, tha Peleshi./tvklan.al