Prezantuesja e televizionit Klan Alketa Vejsiu ka prekur ëndrrën e saj duke u ngjitur në skenën e Sanremos. Në natën e tretë të festivalit, Alketa u ngjit në skenë në krah të prezantuesit Amadeus.
Me një italishte perfekte dhe të rrjedhshme, prezantuesja shqiptare impresionoi publikun italian.
Emocionues ishte dhe momenti kur Alketa Vejsiu përshëndeti në gjuhën shqipe nga skena e Sanremos: “I dua të gjithë shqiptarët, sidomos ata që jetojnë në Shqipëri”.
Moderatorja e Tv Klan, jo vetëm prezantoi në skenën magjike të Sanremo, por mbajti edhe një monolog prekës për eksodin e shqiptarëve drejt Italisë dhe marrëdhëniet mes dy vendeve tona.
Pas monologut, Alketa interpretoi së bashku me këngëtarin e njohur italian Bobby Solo.
Pjesë nga monologu i Alketa Vejsiut:
Na ishte një herë një vend ku të dëgjoje Baglioni-n dhe Celentano-n ishte e ndaluar. Bëheshe armik i popullit. Mund të të kushtonte lirinë, mund të përfundoje në burg. Na ishte një herë një vend, ku të ishe bionde, ishe e dyshuar, sepse bionde ishte Raffaella Carrà. Na ishte një herë një vend, ku mësohej italishtja duke dëgjuar çdo minutë transmetimet e Rai-t, ku Sanremo ishte gjithmonë Sanremo, edhe kur ishim të detyruar ta ndiqnim fshehurazi, pasi kishim mbyllur mirë dyert dhe dritaret. Duket absurde, por ky ishte vërtet çmimi që duhet të paguaje, nëse jetoje në vitet e diktaturës.
Unë jam sot këtu për të thënë faleminderit. Faleminderit Itali, që mbajte ndezur ëndrrat tona në atë epokë të errët. Sepse ju nuk na braktisët kurrë. Nuk e bëtë kur kishim nevojë, kur merrnim anijet për të kaluar kufirin, në mënyrë që të kishim, më në fund, mundësinë për të jetuar. Faleminderit Itali, sepse na ke dhënë shumë. Ke ndriçuar rrugën tonë me kulturën, artin, bukurinë dhe muzikën tënde. Nëse jam sonte këtu, në këtë skenë, është për të thënë faleminderit Sanremo, sepse për të gjithë ne që të kemi ëndërruar përtej detit, nuk je vetëm tempulli i këngës, por edhe një simbol. Një shembull integrimi, ku një djalë i ri, i nisur me anije, që zbarkoi këtu në Itali, realizoi atë që mund të dukej e pamundur, të fitonte festivalin. Ai djalë që është tanimë një emër i madh i muzikës italiane, quhet Ermal Meta. Me fitoren e tij në vitin 2018, ai ekzaltoi shpirtin dhe krenarinë e shqiptarëve. Ne nuk bëjmë gjithmonë tifo për muzikën tuaj, por për gjithçka që ju përket. /tvklan.al