Shtohen lëvizjet në selinë e Partisë Demokratike. Ndërkohë që pritet të zhvillohet protesta e thirrur kundër Lulzim Bashës, ky i fundit ka mbledhur Kolegjin e Kryetarëve.

Gazetari i Klan News, Enkel Xhangoli, raportoi se për pasojë janë të shumtë përfaqësuesit e demokratëve në rrethe që futen në seli. Po ashtu atje kanë shkuar edhe deputetë e nënkryetarë të partisë pasi pas mbledhjes me kryetarët e degëve, Basha do të takohet me Kryesinë.

Gazetari ka raportuar se në oborrin e selisë, aty ku pritet që të mblidhen protestuesit në orën 12:00 ka prezencë të madhe të mjeteve të parkuara.

“Gjithmonë kur ka pasur mbledhje në seli numri i makinave ka qenë i madh, por duket se edhe nga kritikët dhe kundërshtarët e Bashës kjo do të lexohet si një lloj mase për të zënë ambientin dhe oborrin për të mos u mbledhur protestuesit para selisë blu. Duket që edhe në oborrin e selisë blu që në orët e para ka pasur mbështetës të Sali Berishës”, tha gazetari.

Mësohet se personat që futen në selinë e Partisë Demokratike hyjnë nga dera anësore./tvklan.al