Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Prokuroria e krimeve të rënda po heton më gjerë për rastin e pengmarrjes së Fajon Demirlikës në lidhje me veprimtarinë e një grupi keqbërësish, ku bënin pjesë edhe tre autorë të ngjarjes, si dhe të tjerë persona. Në dyshim është vënë dhe vetë pengu i cili kishte pasur lidhje dhe konflikte të mëparshme me pengmarrësit.

Pas 48 orëve shoqërim në komisariatin nr.3, ky i fundit është liruar nga policia, por do të vazhdojë të mbahet në mbikëqyrje. Ilir Kodumi, i arrestuar si pengmarrës ka qenë disa muaj më parë shënjestër e një atentati në rrugën “Myslym Shyri”, ku mbeti i plagosur në krah. Si autorë të ngjarjes u shpallën në kërkim dy vëllezër nga Tirana, por i pyetur në komisariat, 21-vjeçari Kodumi ka deklaruar, se ka qenë Fatjon Demirlika ish-pengu, personi që u ka dhënë një armë për ta vrarë dy vëllezërve.  

Deklarimi i të arrestuarit nuk ka përbërë një provë të mirëfilltë për të ngritur akuzën ndaj Demirlikës, por burime nga policia bëjnë të ditur, se përveç veprës penale të pengmarrjes, objekt hetimi do të jenë dhe të tjera ngjarje kriminale, që kanë të bëjnë me protagonistë të historisë së fundit./tvklan.al

Gazetare: Aranita Brahaj