Përcaktues për vendimet dhe kryeprokurorin e ri
Një muaj pas shkarkimit të anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë Gentian Osmani, Prokuroria e Përgjithshme ka hapur garën për vendin vakant që la ai.
Arta Marku, drejtuesja e përkohshme e akuzës, kërkon nga prokurorët e shkallëve të para të cilët plotësojnë kriteret, të aplikojnë. Të gjithë të interesuarit kanë 15 ditë kohë për të dorëzuar dokumentacionin. Pas kësaj Marku do të thërrasë mbledhjen e prokurorëve ku do të votohet për ata që kanë kandiduar. Anëtari i ri i KLP-së është i rëndësishëm pasi ky institucion ka mbetur me 10 anëtarë dhe vota e 11-të është e nevojshme për të përcaktuar shumicën.
Një arsye më tepër për të pasur një këshill me 11 anëtarë është edhe votimi për Prokurorin e ri të Përgjithshem me mandatat 7-vjecar, i cili pritet të zgjidhet gjatë kësaj vjeshte. Në garë janë 4 kandidatët Arta Marku, Fatjona Memçaj, Lulzim Allushaj dhe Olsian Çela. Ky i fundit në muajin Korrik u konfirmua në detyrë nga Shkalla e Parë e Vettingut, por që të legjitimohet kandidatura ai duhet të kalojë edhe Apelin.
Vendimi për të ende nuk është zbardhur, i cili në rast se ankimohet duhet bërë brenda 15 ditëve. Më pas lista i dërgohet Parlamentit për votim, i cili nëse dështon ta zgjedhë brenda 30 ditëve nga paraqitja e listës, automatikisht zgjidhet ai që është renditur i pari.
Tv Klan