Milani do të përballet me Interin, me derbin që vjen në një moment kaotik për kuqezinjtë. Në Itali përflitet për lëvizje të shumta te Milani, çka mund të ndikojë edhe ndeshje.
Këtë e pranoi edhe trajneri i kuqezinjve, Sergio Conceicao, i cili deklaroi se është e vështirë të përgatisësh një derbi kur merkato është e hapur.
Ndër të tjera ai tha se do të jetë një ndeshje e vështirë, ndërsa shtoi se në përballje të tilla nuk ka favoritë.
Conceicao deklaroi se janë thënë shumë gënjeshtra, në lidhje me atë që ndodh në dhomat e zhveshjes.
“Jam përballur disa herë me Interin në Champions League me Porton. Lojtarët e njohin njëri-tjetrin dhe luajnë bashkë prej kohësh. Duhet të gjejmë pikat e dobëta të tyre.
Unë e kam thënë që një muaj merkato në Janar është shumë, veçanërisht për anën mendore të lojtarëve. Megjithatë ne vazhdojmë të punojmë për ndeshjen dhe kjo është gjëja e rëndësishme. Kam lexuar shumë gënjeshtra për atë që ndodh në dhomat e zhveshjes. Nuk është e lehtë në një periudhë si kjo, me merkaton e hapur dhe lajmet e rreme rreth ekipit.
Nuk flas për atë që ndodh brenda grupit, thjesht duhet të jemi të fokusuar për të luajtur një lojë të mirë dhe për të marrë fitoren. Është një periudhë delikate, në të cilën flitet shumë për merkaton dhe gjëra të tjera.
Nuk mund të flas për Gimenez, sepse nuk është ende zyrtare. Flitet për disa lojtarë të larguar. Unë e kuptoj se në media është e rëndësishme të flitet për merkaton, por ne jemi të fokusuar te Interi.
Te Milani ka ende shumë për të përmirësuar. Çdo trajner kërkon perfeksionin për ekipin e tij. Në një ndeshje Milan-Inter nuk ka favorit. Të tilla sfida marrin jetë kur arbitri jep startin. Nëse merkato do të ishte e mbyllur, do të ishte më mirë, por nuk është e mundur prandaj duhet të jemi të fokusuar te puna jonë”, deklaroi Conceicao.
/tvklan.al