Rrëzimi njëri pas tjetrit i 55 amendamenteve të grupeve parlamentare të opozitës, ishte paralajmërimi se edhe në tërësi, buxheti për vitin 2025 do kalonte sikundër në parim, vetëm me votat e socialistëve.

“75 vota pro, projektligji për buxhetin e vitit 2025 miratohet në tërësi.”

Miratimi i buxhetit e gjeti këtë të martë në Parlament edhe Sali Berishën, i cili u rikthye pas 11 muajve mungesë për shkak të arrestit në shtëpi.

Për pak minuta me propozimin e tij për një minute heshtje për vdekjen e Profesor Sami Repishtit bëri bashkë të majtë e të djathtë që nderuan kujtimin e një figure antikomuniste. Por socialistët u kujdesën t’i kujtonin qëndrimet e hershme për Professor Repishtin.

Taulant Balla: Personi që e ka akuzuar tjetrin për spiun, kërkon që të mbahet 1 minutë heshtje për të shkretin.

Ndonëse Edi Rama nuk ishte i pranishëm në seancë, Sali Berisha fjalën e tij e nisi duke akuzuar Kryeministrin si urdhërues të burgosjes së tij.

Sali Berisha: Vij këtu për të udhëhequr opozitën drejt fitores. Edi Ram nxin aty si Edi metamorfoza.

Mes 32 amendamenteve që demokratët propozuan për buxhetin e vitit 2025, socialistët rrëzuan edhe ato të bëra nga kreu i demokratëve për pezullimin e të gjitha prokurimeve për investime publike luksi të qeverisjes qëndrore deri në miratimin me ligj të minimumit jetik 200 Euro, si dhe ndalimin e çdo pagese për qeverisjen qëndrore deri në deri në momentin e rritjes reale të pensioneve.

Sali Berisha: Po si mund të votoni ju një buxhet të tillë dhe të mos i rrisni në 20% pensionet? Si mund të sillni ju në parlament një buxhet për 800 mijë njerëz që marrin një pension saç merr gjermani për qenin e shtëpisë?

Zv/kryeministrja Balluku u kujtoi demokratëve, pa iu drejtuar drejtpërdrejt kryetarit të tyre, se çfarë kanë bërë ata për pensionistët kur ishin në pushtet.

Belinda Balluku: A e mbani mend si e jepnit bonusin e gjelit të detit juve? Ju keni shitur me artificë financiare hotel “Dajtin”, e shitët që të nxirrnit lekët e bonusit të gjelit të detit.

Për Ministrin e Finanacave, opozita propozon një buxhet piramidal.

“Ajo që propozoni ju është një buxhet piramidal. Borxhi do të shkonte nga 55,8 % e PBB-së, në 73,7% e PBB-së. Propozoni të çoni deficitin buxhetor nga 2,6% në 20%.”

Sali Berisha foli dhe jashtë sallës së Kuvendit për buxhetin, edhe pse u ndërpre disa herë nga zëri i imamit të xhamisë së madhe të Namazgjasë.

“Nuk ka shpresa që të ketë ndryshime. Pra nuk ekzistojnë qytetarët, hallet, problemet. Duket se ia kanë dhënë Elisës butonin”, tha Berisha.

Të majtët dhe të djathtët u bënë bashkë sërish kur me propozim të Jorida Tabakut mbajtën një tjetër minutë heshtje për Arben Tafajn, ish-kryetarin e minibashkisë Nr. 8 në Tiranë.

Tv Klan