Me rastin e Ditës së Flamurit, Presidentit rus Vladimir Putin i ka dërguar një telegram urimi Presidentit të Republikës së Shqipërisë Ilir Meta.
“I nderuar zoti President, pranoni urimet e sinqerta me rastin e festës kombëtare të Shqipërisë, Ditës së Flamurit. Jam i bindur se zhvillimi i marrëdhënieve ruso-shqiptare do t`u përgjigjej interesave të popujve të vendeve tona dhe tërë kontinentit Evropian. Ju uroj shëndet dhe suksese, ndërsa të gjithë bashkatdhetarëve tuaj – lumturi dhe prosperitet”, thotë Presidenti rus.
Një telegram urimi ka dërguar edhe Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë Sergej Lavrov. Ai i është drejtuar me urime kryeministrit Edi Rama.
“I nderuar zoti Kryeministër, pranoni urimet e mia me rastin e festës kombëtare të Republikës së Shqipërisë, Ditës së Flamurit. Jam i bindur se aktivizimi i kontakteve midis ministrive të punëve të jashtme të vendeve tona do të kontribuojë në zhvillimin e marrëdhënieve ruso-shqiptare si edhe do t`i shërbejë përforcimit të paqes dhe sigurisë në Ballkan dhe në mbarë Evropën. Ju uroj suksese në punë, ndërsa popullit shqiptar-lumturi dhe prosperitet”, shkruan Lavrov./tvklan.al