Qindra mijëra njerëz me flamuj në duar si dhe ceremoni mirëseardhje u organizuan për presidentin rus Vladimir Putin në Phenian në vizitën e tij pas 24 vitesh.
Pamjet treguan dhjetëra mijëra koreano-veriorë ishin të rreshtuar, ndërsa një autokolonë me motoçikleta kalonte në rrugët e qendrës së kryeqytetit. Pas ceremonisë, të dy liderët mbajtën bisedime dy palëshe.
Putin falenderoi liderin koreanoverior Kim Jong Un për mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur të Koresë së Veriut. “Ne e vlerësojmë shumë mbështetjen tuaj të vazhdueshme dhe të palëkundur për politikën ruse, duke përfshirë edhe agresionin në Ukrainë,” citoi agjencia shtetërore ruse e lajmeve RIA të thoshte Putin në fillim të bisedimeve.
Lideri komunist shprehu mbështetjen dhe solidaritetin e plotë ndaj qeverisë, ushtrisë dhe popullit rus në kryerjen e një operacioni të posaçëm ushtarak në Ukrainë për të mbrojtur sovranitetin, interesat e sigurisë, si dhe integritetin territorial.
Putin tha se Moska po lufton politikën hegjemoniste, imperialiste të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj. Kim u shpreh gjithashtu se marrëdhëniet Koreka Veriore-Rusi po hyjnë në një periudhë prosperiteti të ri të lartë. “Tani situata në botë po ndërlikohet dhe po ndryshon me shpejtësi. Në një situatë të tillë, ne synojmë të forcojmë më tej komunikimin strategjik me Rusinë, me udhëheqjen ruse,” tha Kim.
Vizita e Putinit vjen mes shqetësimeve në rritje për një marrëveshje armësh në të cilën Koreja e Veriut i siguron Rusisë municione të nevojshme për në Ukrainë në këmbim të ndihmës ekonomike dhe transfertave të materialeve teknologjike. Shtetet e Bashkuara kanë frikë se Rusia mund të ofrojë ndihmë për programet raketore dhe bërthamore të Koresë së Veriut, të cilat janë të ndaluara nga rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken deklaroi se vizita e Putinit në Korenë e Veriut ilustron se si Rusia përpiqet, në dëshpërim, të zhvillojë dhe forcojë marrëdhëniet me vendet që mund t’i ofrojnë asaj atë që i nevojitet për të vazhduar luftën.
Pas Koresë së Veriut, Putin do të vizitojë aleatin e vjetër Vietnamin, ku pritet të diskutojë tregtinë. Siguria e lartë është vendosur në Hanoi disa orë përpara mbërritjes së presidentit rus Vladimir Putin për një vizitë shtetërore në vendin e Azisë Juglindore.
Klan News