Në 10 Mars 2021 u transmetua lajmi, se 26-vjeçari nga Kolonja, Orgest Merko, u arrestua, pasi “përdhunonte dhe drogonte të miturit”.

Sot në “Stop” foli nëna e Orgestit, duke treguar se si ka ndodhur ngjarja. Zonja tregoi se ka një shtëpi në fshatin Rajan të Kolonjës, ku djali qëndroi 9 ditë me një vajzë me të cilën kishte marrëdhënie dashurie.

“Në fshatin Rajan të Kolonjës kemi një shtëpi tonën. Djali është shumë pasionant pas fshatit, pas gjallesave, zogj, lepuj, dhe tha do rri disa ditë. Vetëm kur shikoj emrin e djalit tim të shpërndarë në rrjetet sociale, “u kap përdhunuesi i Kolonjës”. Ne jemi shokuar. Djali kishte krijuar një lidhje me një vajzë. Vajza do edhe 3 muaj të bëhet 18.Djali është 26 vjeç dhe ai nuk kishte dijeni fare që vajza nuk kishte mbushur 18 vjeç se e kishte pyetur gjithmonë dhe ajo i thoshte që jam 18 vjeç. Vajza kishte ikur nga shtëpia, e frikësuar nga problemet që kishte në familje dhe telefonon djalin tim, “aman të vij” dhe niset se “s’kam ku të rri” i thotë. Atje qëndron 9 ditë, në fshat. Kishin kaluar shumë mirë”, tha e ëma e Merkos.

Por vëllai i vajzës, që kishte konflikt me djalin e saj, bëri një denoncim për humbjen e së motrës. Pas kthimit në shtëpi dhe pas denoncimit nga ana e vëllait, në datën 1 Mars, vajza jep një deklaratë, ku shprehet, se kishte qenë në shtëpinë e të dashurit. Ndërsa dy ditë më pas vajza e akuzon të dashurin për përdhunim dhe drogim.

“Vjen vajza në Tiranë sepse vëllai i vajzës kishte shkuar në rajonin 1 dhe kishte bërë një denoncim që na ka humbur motra. Në datën 1 Mars vjen motra dhe vëllai e çon në rajon. Vajza aty bën një deklarim që unë isha te i dashuri im në fshatin Kolonjë, atje kalova shumë mirë dhe erdha, nuk kam asnjë problem. Ikën vajza dhe në datën 3, siç duket pëpunohen gjërat se çfarë i bëjnë vajzës ca gërvishtje, ca gjëra dhe e dërgojnë sërish vajzën në polici. Atje bëhet deklarata bombë që akuzojnë djalin tim dhe e futin në dënime shumë të rënda, përdhunim, drogim”, tha e ëma.

Zonja tha, se vajzës i është bërë presion nga OPGJ, Astrit Rrapce.

“Ai i ka bërë presion vajzës dhe ajo ka qenë në shoqërimin e vëllait të vet. Nuk kanë qenë prindërit të pranishëm. Vëllai im është 21 vjeç. Djali im ka krijuar një konflikt të vogël, një zënkë me vëllain e vajzës para disa kohësh dhe ai si duket mbante atë mllefin. Pas bisedave që u bënë në rajon, presioni që u bë, i bërtiste me zë të lartë. Këto që thua ti unë nuk i pranoj dhe djali nuk i ka pranuar”, tha zonja. /tvklan.al