Të gjitha ndërtesat e reja në vend dhe ato ekzistuese por që do të rinovohen, do duhet të plotësojnë disa standarde të performancës energjetike.

Këtë parashikon projekligji më i fundit i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë i hedhur për konsultim publik, sipas së cilit, kriteret përfshijnë elementë të ndërtimit që kanë të bëjnë me efiçencën e sistemeve teknike.

“Kërkesat minimale të performancës energjitike për ndërtesat ose njësitë e ndërtesave përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave dhe kanë si synim, të paktën arritjen e nivelit të kostos optimale dhe aty ku është e përshtatshme, kërkesa më të larta veçanërisht për ndërtesat pa emetime.”

Këto kritere jo vetëm që synojnë të përmirësojnë përformancën energjetike të ndërtesave, por dhe të reduktojnë emetimet e gazeve serrë të shkaktuara nga stoku i ndërtesave në vend.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë:

1. Të gjitha ndërtesat e reja duhet të jenë pa emetime nga viti 2028 për ato publike dhe nga viti 2030 për të gjitha ndërtesat.

2. Nga viti 2027, ndërtesat në pronësi të autoriteteve publike do të kenë detyrimin e të qenit pa emetime.

Përmirësimi i efiçencës energjetike në ndërtesa pritet të rezultojë në kursime të konsiderueshme energjie, duke ulur kostot për konsumatorët.

Në kuadër të nxitjes së qëndrueshmërisë në sektorin energjetik dhe atë të ndërtimit, duke filluar nga viti 2026, të gjitha ndërtesat e reja duhet të projektohen për të shfrytëzuar energjinë diellore në bazë të rrezatimit diellor të zonës dhe për të mundësuar instalimin e teknologjive diellore me kosto efektive.

Drafti parashikon gjithashtu që në funksion të këtij qëllimi, Këshilli i Ministrave do të miratojë planin kombëtar për rinovimin e ndërtesave, duke synuar transformimin e tyre në një stok me performancë të lartë energjetike deri në vitin 2050.

Tv Klan