“Lycians”ose licianët i dinin dy, tre gjëra për demokracinë… 2 mijë vite më parë, pjesa jug-perëndimore e Turqisë kishte një sistem demokratik krejtësisht funksional që në fakt shekuj më vonë shërbeu si model. Por historia përveçse shkruhet, edhe gdhendet… Në Fethiye të Turqisë, në atë që njihet ndryshe si “Qyteti i të Vdekurve”, shihen varret e lashta në majë të shkëmbit. Por jo vetëm kaq! Në zonat rurale e nëpër qytet gjen sarkofagë që me siguri janë ruajtur nga banorët vendas. Madje janë aq popullorë, saqë i përfshijnë në veprat e sotme urbane. Për vizitorët, veçanërisht ata që janë të dhënë pas historisë, kjo është padyshim një aventurë!
Teksa në disa site arkeologjike nevojiten bileta, ka pafund zona pa asnjë kosto për t’u eksploruar. Një fillim i mirë do të pjesa bregdetare e qytetit që njihet për plazhet më të bukura të Mesdheut. Pas notit në ujërat e kristalta, një ngjitje për tek shkëmbinjtë e thepisur do të ishte përrallore. Atje, në shkallët e lashta vetja do të të dukej si një Perëndi!
Të fiksuar me vdekjen?
Turistët i sheh duke bërë pafund foto në këtë vend, e po ashtu duke pritur me padurim perëndimin e diellit. Përveç faktit që banori i varrit Aminthas ishte “djali i Hermapias” ose që ata adhuronin Apollonin (sipas mitologjisë greke) shumë pak dihet për ritet e vdekjes së kryera nga Licianët. Po çfarë domethënie kishin këto vende të ngritura aq lart, të qenurit afër qiejve apo sa më larg botës së nëndheshme?
Legjendat lokale, siç tregojnë banorët, thonë se Licianët i vendosnin të vdekurit në të çarat e shkëmbinjve ose në plazh dhe prisnin që krijesa me krahë ose sirenat t’i çonin në jetën e përtejme. Megjithatë, asnjë arkeolog nuk i mbështet këto teori… Mbetet një mister!
Historianët nga ana tjetër thonë se Licianët kanë jetuar në këtë rajon për shekuj me radhë, edhe në periudhat kur territori kontrollohej nga grekët, romakët apo persët. Këto varre janë ndër të paktat dëshmi të ekzistencës së tyre. Catherine Draycott, një profesoreshë e arkeologjisë në Universitetin Durham në Britaninë e Madhe thotë se “spekulohet shpesh që licianët ishin të fiksuar me vdekjen”.
Vepër mitologjike
Akoma më impresionues janë këta shkëmbinj në pjesën veriore të Fethiye, pranë qytetit Daylan. Kjo panoramë që sot ngjan disi e trishtë, dikur lulëzonte. Kishte një teatër, rrënojat e të cilit ende ekzistojnë.
Kaş
Një tjetër perlë bregdetare! Ky qytet njihet për varret e vjetra, restorantet dhe dyqanet e famshme. Ekziston dhe një rrugë me rezidenca, e mbushur me lule e ku në sfond duken gdhendjet historike. Kureshtja më e madhe e studiuesve, por jo vetëm, qëndron te fakti se si këta njerëz i kanë ndërtuar struktura të tilla kaq madhështore me gurë shumëtonësh.
/tvklan.al