Jeni kuriozë për shpikjet e vitit 2024? Më poshtë gjeni shpikjet më të bukura që jo vetëm do sjellin ndryshim e lehtësim të shumë procesve, por janë veç fillimi i një epoke akoma më inovative!
Monitori “Ultra Reality”
Monitori më i fundit i desktopit projekton një imazh gjithëpërfshirës me një fushë shikimi 110 gradë, të cilin mund ta vrojtosh pa syze. Sistemi funksionon në mënyrë të tillë që i rregullon imazhit këndin e dritës në çdo piksel me një rezolucion tejet të lartë. Kompania thotë se ka bërë më shumë se 2 milionë dollarë në shitje, kryesisht në sektorët e mbrojtjes dhe automobilave.
“Rhode Lip Case”
E thjeshtë, por inovative! Kasa e re e smartfonëve të Rhode ka një kapëse të integruar që i përshtatet balsamit të buzëve të markës së kujdesit të lëkurës, i cili vjen me ose pa nuancë. E kemi parë kudo këtë vit!
Laptop me ekran të dyfishtë!
Me një tastierë të lidhur përmes Bluetooth dhe një ekran që ofron pamje me rezolucion shumë të lartë. Është ky laptopi me dy ekrane të sheshtë që përdoren si horizontalisht, ashtu edhe vertikalisht.
Televizori transparent
Konsumatorët e sotëm po kërkojnë mënyra të reja për të arreduar shtëpitë apo ambiente të tjera, duke hequr qafe ekranin me një bazë shumë të dallueshme e mundësisht në ngjyrë të zezë. Kompania “LG” e ka lançuar këtë ekran transparent 77 inç, që ngjan surreal. Edhe kur ta fikni do duket thjesht si xham. Më e bukura? Nuk ka kabllo, pasi mund të përdorësh kutinë “Zero Connect” për valët e televizorit.
“Pranoj” me një klik!
Që nga shtatori, qytetarët ukrainas kanë qenë në gjendje të martohen në një mënyrë shumë të pazakontë: nëpërmjet Diia. Ky aplikacion ka më shumë se 20 milionë përdorues. Sistemi është i thjeshtë, njëri partner propozon përmes aplikacionit dhe tjetrit i dërgohet një njoftim. Nëse pala e dytë thotë po brenda 14 ditëve, të dy bien dakord për një datë për një martesë me video-telefonatë, ku nënshkruan dhe një “zyrtar online” në platformën Webex. Mund të ngjajë absurd, por Diia u krijua për të ndihmuar çiftet që ishin në distancë prej luftës.
Telefoni i palosshëm me ekran të trefishtë
Në Shtator, “Hauwei” rriti konkurrencën duke sjellë në treg këtë telefon inteligjent. “Mate XT Ultimate Design” aktualisht është i disponueshëm vetëm në Kinë. Ka deri në 1 TB hapësirë për të ruajtur materiale dhe një kamerë me 4 lente që funksionon në secilën nga 3 pjesët e ekranit. Bateria është mjaft e fuqishme, duke marrë parasysh se sa i hollë është telefoni.
“Bose Ultra Open”
Këto kufje ultra të hapura, kanë një krah të përkulshëm që mbështillet te pjesa e jashtme e veshit. Kjo u jep dëgjuesve një pozicion ideal për tinguj më të qartë dhe të drejtpërdrejtë. Peshojnë shumë pak dhe janë tejet komode.
Transformim në pak sekonda!
“Bimotal Elevate” e kthen një biçikletë me pedale në një biçikletë elektronike vetëm me një pajisje. “Elevate” është një motor që kushton rreth 1995 dollarë dhe që vendoset në timonin e një biçiklete të zakonshme. Kjo shpikje do të transformojë biçikletat e zakonshme, duke u mundësuar njerëzve lëvizjen edhe në terrenet e vështira.
“Moonbird”
Stephanie Broes dhe vëllai i saj Michael krijuan Moonbird-in, një “trajnues” frymëmarrjeje pa ekran, sa madhësia e dorës. Është pajisja perfekte për meditim para gjumit e sidomos për ata që vuajnë prej ankthit. “Moonbird” mund të përdoret nga të rriturit ose fëmijët.
“Tripod X”
Themeluesi dhe CEO i “Edelkrone” me bazë në Turqi, regjisori Kadir Köymen kërkonte me ngulm një trekëmbësh që instalohet kollaj gjatë xhirimeve. Pas disa vitesh eksperimentimi ai shpiku një trekëmbësh plotësisht të motorizuar që mund të nivelohet automatikisht edhe në sipërfaqe të pabarabarta duke shtypur një buton të vetëm në trupin e tij, ose tek një aplikacion të lidhur me të. Pajisja u lançua në fillim të këtij viti, ndërsa prezantimi i plotë do të bëhet vitin e ardhshëm.
“Runway Gen-3 Alpha”
Në qershor, kompania “Runway” lançoi modelin e saj më të ri Gen-3 Alpha, i aftë për të krijuar videoklipe 10 sekonda me vetëm një tekst apo imazh. Dinamika 3D që mbart ky model sjell video që shpesh është shumë e vështirë të dallohen nga ato realet.
Kasa unike
Kompania kineze e teknologjisë “Tilta” ka akses në industrinë e filmit për më shumë se një dekadë. Por zhvillimi i rrjeteve të tilla si TikTok apo Reels në Instagram bëjnë që edhe kjo kompani të synojë për krijimin e pajisjeve akoma më inovative. “iPhone Khronos” është mjaft praktike, me disa shtesa që përfshijnë filtrat, dritat, montimet e trekëmbëshit etj. Pra, montohet brenda një minute dhe me të mund të filmoni imazhe të denja për filma.
Shumë kamera në një pajisje!
Është kjo shpikja e fundit po në Kinë. “X4” e Insta360 ka dy lente ultra të gjera dhe kapje me rezolucion 8K, regjistron 360 gradë dhe në detaje. Është perfekte si për ata që merren me përmbajtje filmike, por edhe për njerëzit e thjeshtë që me pak kreativitet mund të krijojnë gjëra të jashtëzakonshme. Fiks sikur ke një ekip të tërë kameramanësh me vete!
“Honor Magic V3”
Pavarësisht se po rritet numri i telefonave inteligjentë e të palosshëm, teknologjia nuk njeh limite. Kompania kineze “Honor” ka thyer rekord me Magic V3, smartfoni më i hollë në botë vetëm 9.2 mm i trashë e që peshon 226 gram. Sekreti? Një bateri me karbon silikoni, e holla sa një kartë banke.
“Samsung Neo QLED 8K TV”
“Neo QLED 8K” ose QN900D është një procesor që mund ta kthejë një video standarde në një pamje me rezolucion të pastër “kristal” në ekrain 12.9 mm të trashë. Në televizorët e kompanisë “Samsung” synohet tashmë që të sillen me definicion të lartë edhe klasikët e vjetër.
“iFixit FixHub”
Teksa është rritur shqetësimi për përdorimin e hekurave të saldimit pasi ata janë të rrezikshëm, teknologjia sjell “iFixit”. Salduesi i epokës moderne që ngjan me një stilolaps është krejtësisht i thjeshtë në përdorim, ka një kapak rezistent ndaj nxehtësisë dhe një përshpejtues për ta fikur automatikisht në raste rreziku.
Një robot që vë qerpikët!
Zgjatja e qerpikëve mund të jetë një proces i pakëndshëm e që do kohë. Nathan Harding krijoi “Luum Lash” kur kuptoi se kjo gjë mund të përmirësohej duke përdorur robotë. Veglat e tij janë plastike me majë të butë dhe i aplikojnë qerpikët në mënyrën më efikase të mundshme. Padyshim, shkurton kohën e vënies së tyre. Deri më tani, Luum ka aplikuar më shumë se 160,000 zgjatime qerpikësh dhe ka siguruar 51 patenta në 25 vende.
E.D/tvklan.al