Kryeministri Edi Rama u tha 188 gjimnazistëve që nderoi me medalje të arta se ata përbëjnë modelin që nuk janë zmbrapsur para çdo lloj vështirësie.

Kryeministri Edi Rama: Jam i bindur që ndër ju ka vajza e djem që mund të kenë pasur nevojë të ecin çdo mëngjes gjatë në këmbë për të shkuar në shkollë dhe pastaj të ecin gjatë në këmbë për tu kthyer nga shkolla, por ja që pavarësisht këtyre vështirësive të përditshme, pavarësisht mundësisë për të thënë “Nuk e bëj dot këtë punë se kam këtë problem, kam këtë problem, kam atë problem” dhe për të qenë plotësisht të justifikuar, që të jemi të qartë, ju keni zgjedhur rrugën më të vështirë, keni zgjedhur që t’i sfidoni të gjitha vështirësitë objektive me të cilat jeni hasur, jo për fajin tuaj dhe sot jeni këtu si shëmbëlltyra e suksesit të gjatë.

Në fjalën e tij, Rama i cilësoi si heronj nxënësit ekselentë dhe si shëmbëlltyra e suksesit të gjatë.

Kryeministri Edi Rama: Nëse doni që dija juaj të jetë sa bota nuk ju mungojnë rrugët për të shkuar në çdo cep të dijes që ka bota falë teknologjisë. Nuk ju mungojnë autorët që doni të takoni dhe me të cilët doni të bëni shoqëri, nuk ju mungojnë mjetet për të qenë më të mirët në botë dhe ju po e bëni këtë. Vazhdoni ta bëni këtë! Kjo është e vetmja këshillë që nuk është as këshillë në fakt, por është thjesht inkurajim dhe mos e harroni kurrë që një ëndërr edhe këtë e përsëris gjithmonë kur bëj këto takime me ju, që e shikon me sy hapur, përderisa e shikon me sy hapur, ti mund ta arrish.

Rama u shpreh se, “është nder i veçantë të kesh të mbledhur brenda katër mureve të gjithë ajkën e ekselencës dhe të kesh fatin që t’i shohësh në sy të gjithë heronjtë e një kohe kur nuk është e lehtë të jesh hero pozitiv. Dhe kur hapësira e komunikimit falë edhe rrjeteve sociale është e mbushur me heronj negativë”.

Klan News