Këtë të shtunë në orën 17:00, Partia Demokratike do të mbajë protestën e radhës.
Kryetari i selisë blu, Sali Berisha është shprehur se ky tubim do të jetë më madhështori. Sipas tij, “populli shqiptar, qytetarët e Tiranës zbresin në shesh si dëshmitarë të agut të fitores”.
Një ditë më parë ish-kryeministri Berisha zhvilloi një takim me aleatët e Federatës së Bashkuar në selinë e PD. Ai ftoi të gjitha forcat politike që të bashkohen në frontin opozitar për t’u përballur me atë që e quan “e keqja që kemi përpara”.
“Koha është për një front sa më të gjerë opozitar, ndaj dhe unë ftoj të gjitha forcat politike që e ndjejnë veten opozitë, e konsiderojnë veten opozitë, pavarësisht nga çdo kundërshti që mund të kenë njëri me tjetrin, të bashkohen në këtë front për t’u përballur me sukses me këtë të keqe që kemi përpara”, u shpreh Berisha.
Por i pyetur për skenarin e protestës, Berisha u shpreh i rezervuar.
“Skenari nesër do të shpallet plotësisht se nuk duhet kundërshtari të di të gjitha, armiku të di të gjitha taktikat tona”, tha ai./tvklan.al