Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas sulmit terrorist në Vjenë. Kreu i qeverisë përmes një postimi në rrjetet sociale thotë se kryeqyteti austriak është sot kryeqyteti i Europës.

Rama shkruan se vlerat e Europës do të jenë gjithnjë e më të forta përballë ekstremizmit të dhunshëm.

“Zemërthyer nga sulmi terrorist në Vjenë që sot më shumë se kurrë është zemra e Europës sonë. Mendimet dhe lutjet tona shkojnë për viktimat dhe familjet e tyre. Vlerat tona do të jenë gjithnjë e më të forta përballë ekstremizmit të dhunshëm. Ne qëndrojmë fort me Austrinë”, shkruan Rama.

Të paktën 5 persona humbën jetën nga sulmi terrorist në Vjenë. Disa persona të tjerë kanë mbetur të plagosur rëndë./tvklan.al