“Në Qershor ulim tatim-fitimin për pagat e larta”
Ambicien për ta kthyer Ishullin e Sazanit në kartëvizitën e Shqipërisë në industrinë e turizmit në Mesdhe, nuk e fshehu edhe përpara këtyre të rinjve, që ishin protagonistët e radhës në podkastin e tij.
“Sa më takon mua Sazani është pika ku ne mund të shkruajmë kartvizitën e Shqipërisë në mes të Mesdheut dhe mund t’ju themi të gjithëve pa përjashtim, të gjithë tigrat, luanët e elefantët e industrisë së turizmit në botë. Dhe themi “Ne jemi Shqipëria!’ dhe ngrejmë stekën në një nivel që disa vite më parë nuk mund të imagjinohej”.
Teksa e cilëson serioz projekt-propozimin e bërë nga dhëndri i ish-Presidentit amerikan Donald Trump, Rama preferon t’i shohë anën pozitive jehonës së lajmit, që prej disa ditësh ka bërë xhiron e botës.
“Një miku im amerkan më mori e më tha është e vërtetë? Ore dhe po nuk erdhën zhurma që është bërë në media dhe fama që kanë ata do të sjellë shumë njerëz. Të gjitha këto nuk i paguan dot me miliona reklamë. Sepse nuk je ti që çon një reklamë siç patëm bërë dikur reklama ‘Shqipëria, Shqipëria!’ Harxho lekë kot! Mbi të gjitha një investim i tillë në Sazan ose investime të tilla fuqizojnë të gjithë”.
Për të mbërritur tek ky projekt-propozim, për të cilin ende qeveria e tij nuk ka marrë një vendim, më herët i është dashur të refuzojë disa projekte, që thotë se nuk përputheshin me vizionin për të pasur një harmonizim të natyrës dhe ndërtimit në ishull.
“Kemi pasur kërkesa 3- 4. Kanë ardhur shumë për të parë, por kur na kanë treguar me prezantime çfarë kanë dashur të bëjmë, jo. Nuk është kjo. E zhvillimi të jetë aq i cilësisë së lartë sa të krijojë një model turizmi që sjell shumë të ardhura e të funksionojë dhe si tërheqje për turizmin”.
Gjatë podkastit me të rinjtë sipërmarrës në fushën e turizmit, Kryeministri Rama paralajmëroi se duke nisur nga muaji Qershor, qeveria ka në plan të ulë tatim-fitimin e të ardhurave për ata punonjës që kanë paga më të larta, por pa dhënë më shumë detaje.
“Kemi kohë që themi se nuk do të rrisim taksat. Tani kemi një projekt nga Qershori do ta materializojmë për të ulur tatim-fitimin e të ardhurave për ata që kanë pagat më të larta si punonjës”.
Tv Klan