Pas lagjes që po rindërtohet në Fushë-Krujë, kryeministri Edi Rama ka shpërndarë këtë të shtunë në rrjetet sociale pamje nga lagja e Rilindjes që po ndërtohet në Thumanë.
Rama thotë se atje do të ketë një infrastrukturë të re, me shkolla dhe shtëpi që do i japin trajtë konkrete kompleksit rezidencial.
Po ashtu do të ketë edhe pallate të reja, qendër shëndetësore, njësi bashkiake, fusha sportive dhe parqe.
“Mirëmëngjes dhe me lagjen e Rilindjes së Thumanës, ku infrastruktura e re, shkolla e re, shtëpitë e reja po i japin trajtë konkrete kompleksit të bukur rezidencial, e ku javë pas jave do të marrin formë edhe pallatet e reja, qendra e re shëndetësore, njësia e re bashkiake, fushat sportive e parqet, ju uroj një fundjavë të mbarë”, shkruan Rama në postimin e tij, të cili e shoqëron me një video.
Thumana ka qenë një prej zonave më të goditura nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019. Vetëm në atë qytezë humbën jetën 24 qytetarë, të cilët mbetën nën rrënoja pas tërmetit të fuqishëm./tvklan.al