Kryesocialisti i mblodhi sërish këtë mëngjes drejtuesit politikë për të folur për ecurinë e procesit të regjistrimit të shqiptarëve që do të votojnë nga jashtë. Çdo të hënë ata analizojnë shifrat e të regjistruarve që duken ende larg pritshmërive të socialistëve.
Përpara nisjes së mbledhjes, në rrjetet sociale Rama bëri dhe njëherë thirrje për shqiptarët që për herë të parë të ushtrojnë të drejtën për të votuar nga shtetet ku kanë zgjedhur të jetojnë, të mos e humbasin këtë mundësi dhe të regjistrohen.
“Votimi bëhet me postë dhe koha për t’ia çuar fletën e votimit në shtëpi çdo zgjedhësi me një zarf të parapaguar edhe për kthimin është kohë e domosdoshme…”
Ai pranon se është kurioz të dijë sesa do të mbështesin qeverisjen e tij nga shqiptarët e diasporës.
“Fjala e çdo shqiptari jashtë kufijve vlen. Gjykimi i çdokujt që e sheh progresin e Shqipërisë sonë të përbashkët nga një distancë e arsyeshme vlen dhe unë mezi pres që të shoh se cili do të jetë gjykimi i shqiptarëve të Europës dhe të botës për Shqipërinë e çliruar nga hija e zezë e paragjykimeve të deridjeshme, për Shqipërinë e respektuar nga Europa dhe nga bota si asnjëherë më parë, për Shqipërinë që në mandatin tonë të katërt do të hedhë hapin përfundimtar të anëtarësimit në Bashkimin Europian”.
Shqiptarët që do duan të votojnë në 11 Maj kanë kohë deri në 4 Mars për t’u regjistruar dhe 3 muaj përpara se ky afat të skadojë janë regjistruar afro 115 mijë shtetas shqiptarë që janë pjesë e diasporës.
Tv Klan