Jo vetëm për Amerikën, por Edi Rama e sheh Presidentin Donald Trump një bekim edhe për Europën. Në një intervistë të dhënë për gazetën spanjolle “La Razon”, Kryeministri thotë se shefi i Shtëpisë së Bardhë mund të ta zgjojë dhe ta bëjë fuqi të madhe kontinentin tonë.
“Donald Trump thotë se Zoti e shpëtoi nga pushkatimi për ta bërë Amerikën sërish të madhe. Dhe jam shumë i lumtur që Zoti e bëri këtë. Shtoj se Zoti e shpëtoi Donald Trumpin për të zgjuar Evropën. Pra, nëse është kështu, Trump është një bekim për Evropën në kuptimin që Evropa ka çdo arsye të zgjohet dhe të ndryshojë dhe të bëhet shumë më e vetëdijshme, se nevoja për ndryshim nuk mund të shtyhet çdo vit, pasi përndryshe Evropa do të jetë më pak e rëndësishme. Evropa mund dhe duhet të jetë një fuqi e madhe, dhe për ta bërë këtë duhet të ndryshojë dhe të bëhet e vetëmjaftueshme”.
Rama flet edhe për marrëveshjen me Italinë për emigrantët dhe thotë se I njëjti model shihet si ambicioz edhe nga vende të tjera europiane apo SHBA-të.
“Italisë i kemi dhënë vetëm këto dy vende me karakter ekstra territorial për pesë vjet. Ata e përdorin atë dhe bëjnë atë që duan. Vende të tjera evropiane po planifikojnë të bëjnë të njëjtën gjë si Shqipëria, madje edhe administrata e Donald Trump po bën diçka të ngjashme. Ata mund ta planifikojnë atë, por jo me Shqipërinë, pasi e bëmë me Italinë për arsye historike, por edhe sepse gjeografia e lejon”.
Sikundër edhe në edicionin e 30-të të Kongresit Botëror të Drejtësisë në Madrid, Rama nuk e humbi shansin për të shpjeguar pse Shqipëria është vend i mundësive.
“Shqipëria përfaqëson një lloj Amerike për Evropën, në atë që mund të quhet një vend i mundësive. Ne kemi nevojë për investime. Shqipëria ka një mjedis shumë miqësor për investitorët e huaj dhe ka shumë për të bërë”.
Dhe sa për ëndrrën europiane të shqiptarëve, nëse gjithçka shkon sipas planit, 2030-a, tha kreu i qeverisë, do të jetë viti që Shqipëria do të bëhet një anëtare e re e Bashkimit Evropian.
Tv Klan