Kryetari i Partisë Socialist, Edi Rama, ka vijuar turin e tij të takimeve me rrjetin e vullnetarëve në qytetin e Ersekës. Në fjalën e tij lideri i opozitës është ndalur tek nevoja që sipas tij kanë njerëzit e thjeshtë për tu ndarë nga politika e ndasive 18-vjeçare në mënyrë që të shohim nga e ardhmja. Sipas Ramës qytetarët duan të kenë më shumë punë dhe mirëqenie në familjet e tyre.

Edi Rama: “Njerëzve, atyre milionave pa pushtet që duan punë, që duna rrugë, që duan shpresë nuk u intereson pushteti, por rezultatet e qeverisjes. Kam takuar me dhjetëra, mijëra në të gjithë Shqipërinë dhe kushtet e rënda të jetës tyre, perspektiva shpesh herë e mbyllur e fëmijëve të tyre, fatet e familjeve të tyre të kërcënuara nga plagët e rënda ekonomike dhe sociale mua më kanë bindur në mish dhe në shpirt se Shqipëria reale e njerëzve të thjeshtë qëndron përtej të majtës dhe të djathtës”.

Rama ka premtuar se politika e bashkimit të ri do ta kthej shtetin në shërbim të të gjithëve, duke krijuar mundësi punësimi pa dallim për qytetarët, pavarësisht nëse ata janë të majtë apo të djathtë.

Edi Rama: “Njerëzve u duhet një shtet i paanshëm që nuk është as i socialistëve, as i demokratëve po i çdo qytetari e qytetareje që kërkon dhe duhet të marrë çdo shërbim që meriton. Pavarësisht përkatësisë partiake apo ngjyrës që ka pushteti i radhës”.

Fitorja e 28 qershorit tha Rama, nuk do të shërbej për të larguar një palë ministra e p-ër të ngjitur në kolltuk disa të tjerë, por të ndërtuar një shtet në dobi të qytetarëve”./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro

Montazh: Vilma Halilaj