“Politikanët pasurohen nga kapja e shteti, sfidë sundimi i ligjit”
Transparency International ka publikuar së fundmi një raport për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë ku thotë se kapja e shtetit në këto vende po pasuron politikanët dhe rrjetet e tyre mbi kurrizin e qytetarëve të thjeshtë. Po ashtu sipas TI-së, po shkatërrohet besimi i publikut në institucionet qeveritare teksa po përdoren për t’i shërbyer interesit privat.
“Prania e kapjes së shtetit në Shqipëri, Bosnje, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Serbi dhe Turqi është raportuar në raportet e zgjerimit të KE-së për vendet, por mbështetja dhe motivet nuk janë adresuiar siç duhet në reformat e promovuara në rajon”.
Një ndër sfidat e këtyre vendeve sipas TI, mbetet sundimi efektiv i ligjit. Por në raport thuhet se vazhdimisht këto përpjekje minohen nga liderët politikë, motivimi kryesor i të cilëve është kapja e shtetit për përfitime personale.
Raport i Transperancy International ekzaminon dy faktorë kryesorë që mundësojnë kapjen e shtetit në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi: mosndëshkimi për korrupsionin e nivelit të lartë dhe ligjet e bëra personalisht.
“Raporti jep një panoramë se si gjyqësori në mënyrë joefektive trajton korrupsionin e madh dhe korrupsionin tjetër nga zyrtarë të nivelit të lartë. Ajo gjithashtu tregon se si ky problem dhe ndikimi i panevojshëm në bërjen e ligjeve në shërbim të interesave private ndihmojnë për të arritur dhe ruajtur kapjen e shtetit”.
Sa i përket Shqipërisë, Transparency International ka marrë rastin e Vangjush Dakos. Në raport thuhet se ish-kreu i bashkisë së Durrësit bashkëpunoi me bandën e Avdylajve për të blerë vota dhe për të intimiduar zgjedhësit në shkëmbim të favorizimeve në institucionet lokale. Po ashtu në raport përmendet edhe rruga Milot-Balldren, që sipas TI tregon se si ligje favorizuese i kushtojë buxhetit të shtetit.
Menjëherë pas publikimit të raportit reagoi edhe Partia Demokratike nëpërmjet ish-deputetes Jorida Tabaku.
“Shqipëria është me plot gojën në listën e zezë të korrupsionit, ky është një konstatim jo veç i opozitës por edhe i një raporti të dedikuar të TI, një institucioni të specializuar për korrupsionin”, tha ajo.
Sipas Tabakut qeveria e sotme bëhet nga grupe kriminale të strukturuara, ligjet shkruhen e kalohen nga interesa të ngushta klienteliste dhe interesat kriminale vendosin për ndarje tenderash e koncesionesh.
“Raporti vlereson se raste si ai i Vangjush Dakos që ka përfshirë grupe kriminale në blerje votash, ai i Tahirit me përfshirjen me trafikun ndërkombëtar të drogës, rasti i ligjit te lojerave te fatit ku qeveria mbështeti qartësisht grupet kriminale dhe favorizoi klientët e saj janë shembuj të qartë të kapjes së shtetit. Në raport përmenden dhe rasti i rrugës Milot-Balldren të cilën e ka denoncuar dhe opozita. Një rast flagrant ku kostot janë 3 fishuar, ku eshte fituar pa garë, me kosto pothuajse 20 mln euro për km, në një tender që qartësisht mund të ishte zhvilluar dhe fituar një kompani me 1/3 e vlerës”.
Sipas Tabakut korrupsioni ka kapur çdo qelizë të qeverisë dhe nga ky model mund të shkëputemi pas zgjedhjeve të 25 Prillit./tvklan.al