Pastori Akil Pano e shikon problemin tek shoqëria, duke ju referuar rastit të vetëvrasjes së 41-vjeçares Bedrie Loka.
I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, pastori lartësoi figurën e të ndjerës Bedrie Loka, e cila përballonte e vetme jetën për të rritur 4 fëmijët e saj.
“Ne evidentojmë pafuqinë tonë si shoqëri për të sfiduar dhunën, të keqen. Shikojmë jetën e kësaj zonje e cila del heroinë, që mund të bënte punën e disa individëve, rrit fëmijëne saj, punon, i del përballë jetës, përballet me dhunë në shtëpi, përballet me dhunën e presionin e vetë jetës, presion ekonomik, presion për t’u kujdesur për fëmijët.
I shoqi i saj rezulton që ka qenë disa herë në punë, ajo ka qenë nënë e vetme. Një presion i vazhdueshëm në punë. Historia e TikTokut. Një zonjë krejt e vetme përballë botës. Kjo është ajo që na bën të ndihemi të dobët. Tjetri është fakti që ka qenë e paasistuar, edhe njerëzit e afërt të saj, e paasistuar nga cilido. E gjitha është vuajtje që çon në fund në lindjen e tragjedisë. Ajo që ndodh është presioni shtypës i jetës, i banalitetit të së keqes e cila në fund thyhet.
Dëgjojmë që ajo ka denoncuar adresën false në TikTok. Nuk është hera e parë që trajtojmë mosasistimin e institucioneve përkatëse të një individi që ka raportuar një problem me jetën e tyre.
Kura është aq e thjeshtë dhe aq komplekse. Zgjidhja është ndërtimi i njeriut, ne braktisëm njeriun dhe zëvendësuam qëllimin me mjetet. Fatkeqësisht sot vlerësojmë pasurimin, kemi braktisur njeriun.
Që kur kemi qenë të mitur gjatë kësaj periudhe tranzitore nuk kemi dëgjuar që njeriu është qëllimi i fundëm, te njeriu qëndron vlera”, u shpreh pastori Akil Pano.
/tvklan.al