Në ditën e 3 të grevës së urisë gjëndja shëndetësore e 9 grave që protestojnë në mënyrë ekstreme është rënduar. Sipas mjekëve kjo rëndesë ka ardhur për shkak jo vetëm të kushteve të rënda në të cilat zhvillohet greva e urisë, pasi shtëpia është plot me lagështi, por edhe për shkak se disa prej grave vuajnë nga diabeti, ulçera dhe sëmundje të tjera kronike.
“Sëmundje kronike kemi, kemi 3 me azëm, 1 të sëmurë diabetike dhe nje ulçeroze, sot gjëndja ka ardhur duke u rënduar, refuzojnë shtrimin, refuzojnë mjekimin, ne bëjm tonën por gjëndja po rëndohet”.
Gazetarja: Me çfarë po i mjekoni ?
“Ne i kemi të gjitha, por tani për tani vetëm ujë me sheqer po pranojnë”.
Megjithëse mjekët kanë kërkuar që gratë të ndërpresin protestën për shkak të shëndetit, grevistet shprehen të palëkundura për plotësimin e kërkesave të tyre nga qeveria.
Grevistet shprehen: “ Do vazhdojmë grevën deri në vdekje nëse qeveria nuk vjen këtu dhe të na jap shtëpi, asnjë gjë tjetër”.
“Gjëndja sa vjen dhe keqësohet, ne duam përgjigje, presim takim nga kryeministri Fatos Nano”.
“Të na japin shtëpinë që kemi humbur nga firmat piramidale, i bëjmë thirrje zotit kryeministër, zotit president, zotit kryetar të bashkisë, të vijnë këtu të na zgjidhin çështjet tona”.
9 gratë janë mbështetur për grevën e tyre të urisë edhe nga shoqata e dhuruesve të gjakut, pasi 3 prej grevisteve janë anëtare të kësaj shoqate. Pasi kanë humbur shtëpitë e tyre 6 vjet më parë në firmat piramidale, familjet janë rregjistruar si të pastreha dhe gjatë këtyre viteve kanë jetuar me qera në pritje të lëvrimit të kredisë Greke për strehim. Por deri më sot problemi ka mbetur i pazgjidhur, gjë që ka detyruar këto gra të hidhen në grevë urie.
Jashtë mureve të shtëpisë grevistet janë mbështetur jo vetëm nga bashkëshortët dhe fëmijët, por edhe nga 9 familje të tjera që vuajnë të njëjtin problem./tvklan.al