Tirana ka hyrë tashmë në revolucionin e gjelbër. Kjo jo vetëm sa i përket mbjelljes së pemëve dhe shtimit të gjelbërimit, por edhe të një sërë nismash që janë paqësore me natyrën, siç është shtimi i korsive të biçikletave apo edhe mjeteve elektrike të të transportit publik. Kryebashkiaku Veliaj në fjalën e tij para Këshillit Bashkiak prezantoi edhe disa nga objektivat e Bashkisë së Tiranës për pranverën dhe që kanë të bëjnë kryesisht me Tiranën e gjelbër. Ai bërit ë ditur se synohet që deri në 22 prill numri i pemëve të mbjella të shkojë në 122 mijë.
“Aksionin tonë të mbjelljeve në Tiranë e kemi zgjatur, përtej datës 21 mars, për t’i dhënë mundësi 145 subjekteve që janë në listë pritje për të dhuruar pemë. Sot jemi në një rezultat të shkëlqyer, me 108 mijë pemë në Tiranë. Sigurisht kjo është vetëm faza e parë e asaj që ne duam të jenë 2 milionë pemë të Pyllit Orbital. Dua t’iu inkurajoj të gjithëve brenda mundësive, njohjet që keni, lidhjet që keni te kemi deri në datën 22 prill, që është një datë simbolike, Dita e Tokës, për të vazhduar me këtë projekt të mbjelljeve. Ambicia jonë është, nga 108 mijë të shkojmë tek 122 mijë në 22 prill dhe besoj që kemi kryer një mision të jashtëzakonshëm”
, u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës.
Gjithashtu ai theksoi se do të synohet të ndërtohen 10 kilometra korsi të dedikuara për çiklistët. “
Disa korsi të biçikletave janë të dedikuara, janë të mbrojtura, ka qenë një kërkesë e komunitetit të çiklistëve në Tiranë, nga ata që kanë përdorur këtë mjet jashtëzakonisht ekologjik transporti, që këto të jenë të mbrojtura, vizimet nuk mjaftojnë, sidomos në kulturën disa herë të dhunshme të disa prej shoferëve, jemi në një situatë tjetër, do ta vazhdojmë këtë. Kemi ambicie të shtojmë 10 km brenda kësaj stine dhe çdo ditë ta shtojmë dhe ta shtrijmë rrjetin e korsive të dedikuara, por edhe të mbrojtura të biçikletave”
, tha Veliaj.
Ai bëri të ditur se shumë shpejt në Tiranë do të vijnë edhe 4 mijë biçikleta, të cilat gjithashtu do të krijojnë një alternativë të lëvizjes në Tiranë që është paqësore me ambientin. “
Po përgatitemi për të mirëpritur në Tiranë 4 mijë biçikleta të reja, sistemi bike share, biçikletave që shkëmbehen dhe për një komunitet, sidomos komuniteti i studentëve, i atyre që preferojmë këtë mjet që na ul ndjeshëm trafikun dhe jep një kontribut jo të vogël në pastrimin e qyteteve”
, deklaroi kryetari i bashkisë.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës bëri të ditur se do të vazhdojë projekti i këndeve të lojërave në çdo lagje si dhe shtimi i terreneve sportive. /tvklan.al