Turi “Shqipëria po Ndryshon” i sekretarit të përgjithshëm të Partisë Demokratike, njëherësh edhe Ministër i Financave, Ridvan Bode, ka vijuar në komunat Udënisht dhe Dardhas të Pogradecit.

Duke u ndalur në realizimin e premtimeve që koalicioni i djathtë ka arritur në këto 4 vjet Bode tha se anëtarësimi në NATO dhe aplikimi për në BE nuk do të ndalë kursin e reformave të nisura nga qeveria.

Ai u shpreh se ekonomia do të njohë një tjetër nxitje, në sektorët e saj kyç, si turizëm, infrastrukturë dhe bujqësi.

Ridvan Bode: “Shqipëria e vitit 2009 nuk është Shqipëria e vendit më të korruptuar në kontinentin evropian, nuk është më Shqipëria e dyta më e korruptuara në botë, përkundrazi. Reformat e ndërmarra nga qeveria demokratike shumë shpejt bindën opinionin e brendshëm publik, por dhe opinionin ndërkombëtar për ta klasifikuar Shqipërinë si vendin më reformator në Evropë në luftën ndaj korrupsionit dhe tashmë Shqipëria renditet midis 60 vendeve të para të cilat janë angazhuar dhe kanë arritur rezultate konkrete në luftën ndaj korrupsionit. Nuk do të ketë lagje pa asfalt, nuk do të ketë lagje të pa sistemuara, nuk do të ketë fshat në lagje, shtëpi pa ujësjellës në këtë periudhë që ne jemi duke investuar”.

I shoqëruar edhe nga deputeti demokrat, Edmond Spaho, Bode ka inspektuar më pas punimet në rrugët e brendshme të fshatit Stropckë, investim që kap vlerën e 114 milionë lekëve nga buxheti i shtetit./tvklan.al