Kryeadministratorja e Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK), Risena Xhaja mori pjesë sot në takimin e 16-të të Nënkomitetit “Drejtësia, Liria dhe Siguria” mes autoriteteve shqiptare dhe atyre të BE-së, në kuadër të negociatave për anëtarësim.

Takimi u hap nga ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, ndërsa të pranishëm ishin edhe drejtuesja e Njësisë për Zgjerimin, në Komisionin Europian, Sigrid Brettel, kreu i SPAK, Altin Dumani, Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela, drejtuesja e BKH-së Aida Hajnaj, përfaqësues të Kuvendit e zyrtarë të tjerë të lartë të agjencive ligjzbatuese në vend.

Në fjalën e mbajtur në këtë aktivitet, Risena Xhaja theksoi rëndësinë e sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurive të përfituara në mënyrë të paligjshme, si një aspekt thelbësor në luftën kundër krimit të organizuar. Gjithashtu ajo vuri në dukje nevojën e bashkëpunimit me homologët ndërkombëtarë dhe me strukturat e Bashkimit Europian.

“Duke punuar ngushtë me ekspertë të këtij sektori dhe gjithashtu me agjenci homologe në shtetet e tjera, ne jemi në gjendje të ndajmë njohuri të çmuara, të rrisim ekspertizën tonë dhe të përmirësojmë menaxhimin e aseteve. Ky bashkëpunim na ka mundësuar të mësojmë nga përvoja e tyre, të rivlerësojmë proceset tona dhe të shfrytëzojmë sa më mirë burimet që kemi në dispozicion, duke siguruar që të qëndrojmë para në luftën kundër krimit të organizuar,” u shpreh Xhaja.

Ajo theksoi se një nga shenjat më të prekshme të progresit të bërë në luftën kundër krimit të organizuar, është rritja e konsiderueshme e aseteve të sekuestruara dhe konfiskuara.

“Ky numër në rritje, është një pasqyrë e qartë e përparimit që kemi bërë në destinimin e pasurisë së paligjshme dhe sigurimin që kriminelët nuk përfitojnë më nga veprimtaritë e tyre,” theksoi Xhaja.

Drejtuesja e Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara u shpreh se AAPSK siguron që, pasi asetet të sekuestrohen ose të konfiskohen, ato të menaxhohen siç duhet dhe në mënyrë transparente, me fokus në ruajtjen dhe kthimin e vlerës së tyre në shërbim te komunitetit, nëpërmjet projekteve të ndryshme, si edhe fondit të posaçëm për parandalimin e kriminalitetit.

Në vëmendje janë mbështetja e familjeve të efektivëve të rënë në detyrë, financimi për drejtorinë e përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Prokurorinë, rehabilitimi dhe fuqizimi social i viktimave të trafikimit, përdorimi i aseteve të konfiskuara në shërbim të komunitetit, etj.

Kryeadministratorja e AAPSK u shpreh se institucioni që drejton do të japë kontribut për të forcuar sistemet ligjore, të përmirësojë më tej kapacitetet institucionale dhe të thellojë bashkëpunimin me homologët ndërkombëtarë për të siguruar që asetet kriminale jo vetëm të sekuestrohen, por përfundimisht të konfiskohen dhe të përdoren në funksion të komunitetit.