Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Ka reaguar ashpër E Djathta e Bashkuar kundër projektligjit për shpronësimet. Kryerepublikani Godo ka theksuar se më parë duhet përcaktuar me ligj kush është pronar, ata që kanë marrë tokën të trashëguar, atyre që u është dhënë toka me ligjin antikushtetues 7501, apo ata që i kanë zënë me forcë tokat e ish-pronarëve.
Nuk mund të bëhen shpronësime me kërkesë të një investitori të huaj që bashkëpunon me një ministër, ka thënë Godo. Një ministër nuk mund të përcaktoj se sa vlerë ka toka theksoi ai. Kryerepublikani Godo thotë se ka mbështetjen e OSBE-së në vërejtjen ndaj projektligjit për shpronësimet.
Kryerepublikani Sabri Godo:- “Nuk e di se cili ministër mund të marrë një përgjegjësi të tillë por vlera e tokës unë them se duhet të caktohet nga një komision bashkiak ose komunal në bazë të çmimeve reale që ka tregu i tokës sot, dhe në rast se pronari nuk është dakort ai duhet të ketë të drëjtë t’i drejtohet gjyqit dhe gjyqi pastaj të vendosë mbi çmimin e shitjes së kësaj toke. Ka disa pika që janë me të vërtetë flagrante në këtë ligj”./tvklan.al
Gazetar – Vladimir Lame