Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Drejtimi i komisionit hetimor për tragjedinë e Vlorës nga socialistët është fshehje e të vërtetave. Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD, kryetari Sali Berisha ka kundërshtuar kryesimin e komisionit hetimor për tragjedinë e Vlorës nga socialistët pasi nuk mund të nxjerrë në shesh të vërtetën.
Sali Berisha:- “Zoti Nano, nuk kënaqet vetëm me varrosjen e viktimave në Jon, atij i duhet të varrosë tani, duke emëruar Ruçët e tij kryetar komisioni, duhet të varrosë, atë që s’e bëri Joni, do ta bëjë komisioni”.
Në një moment të tillë nga kryedemokrati Berisha mendohet një lëvizje e gjerë. Fillimisht mbledhja e një tryeze me partitë e spektrit të djathtë, për të përcaktuar një qëndrim të përbashkët, në mënyrë rrëzimin e qeverisë Nano, e për të kaluar në zgjedhje të parakohshme. Nëse e djathta do të marrë një vendim, atëherë opozita do të nisë protesta mbarë qytetare në të gjithë vendin.
Sali Berisha:- “Është koha për veprim. Standardet e kongresit të fundit, janë sandarde fatale për shoqërinë shqiptare. Ky njeri duhet të ikë. Ky është verdikti sot i mbarë shoqërisë shqiptare dhe ne duhet të kryesojmë, duhet të udhëheqim, duhet të drejtojmë shqiptarët, në përpjekjen e tyre më fisnike, më të rëndësishme të largimit të tij nga pushteti”./tvklan.al