Qeveria Rama ka premtuar se do të vijojë subvencionim 70% për çdo familje që do të aplikojë për panele diellore për ngrohjen e ujit. Paketa e re e mbështetjes do të publikohet së shpejti sipas kryeministrit.

“Së shpejti do të bëhet shpallja e paketës së dytë mbështetëse për panelet diellore për familjarët në banesë dhe do të jetë padiskutim një sukses sepse siç ndodhi me paketën e parë interesi është i madh dhe faktikisht u shterua gjithë financimi 100%”, tha Edi Rama.

Panelet diellore për ngrohjen e ujit për abonentët familjarë do të ndikojnë pozitivisht në uljen e konsumit të energjisë elektrike.

Jemi sot të parët në rajon për vetëprodhimin e energjisë diellore nga familjarët dhe nga bizneset, prodhojmë 196 Megavat, katërfishin e Serbisë dhe më shumë se dhjetëfishin e Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut”, tha Rama.   

Rama u shpreh sërish besimplotë për mandatin e katërt qeverisës.

Shqiptarët dinë të dallojnë mirë atë që bën punë nga ai që prish punë. Nëse ka një arsye themelore pse unë dhe Partia Socialiste fitojmë, nuk është se populli është budalla, po se populli ka më shumë qartësi, më shumë përputhshmëri dhe është më i drejtë në vlerësimin e punës dhe jep secilit hakun”, tha Edi Rama.  

Rama tha se shqiptarët kanë përjetuar një dekadë ndryshimesh në sektorin energjitik, ndërkohë që Shqipëria pritet të kthehet në eksportues neto i energjisë.

Klan News