Fluksi turistik gjatë muajve të verës ka kontribuar pozitivisht edhe në ekonominë e vendit sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë. Vetëm në tremujorin e tretë të 2024, të ardhurat nga ky sektor i kanë siguruar ekonomisë vendase rreth 1,9 miliardë Euro. Në terma vjetorë, të ardhurat dhe shpenzimet e kësaj kategorie u rritën respektivisht me rreth 15% dhe 13%.
Ndërsa referuar të dhënave të 9 muajve të parë të vitit, sipas shifrave zyrtare ekonomia e vendit tonë ka përfituar 3.8 miliardë Euro nga turizmi deri në Shtator të vitit 2024.
Teksa në 11 muajt e parë të këtij viti vendin tonë e kanë vizituar mbi 11 milionë vizitore të huaj, edhe shtetasit shqiptarë kanë shpenzuar mbi 879 milionë Euro jashtë vendit referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë.
Duke marrë shkas nga këto shifra, shërbimet e udhëtimit gjenerojnë respektivisht 74% të flukseve valutore në hyrje dhe rreth 80% të shpenzimeve të kategorisë së shërbimeve.
Banka e Shqipërisë nënvizon se shërbimet e transportit kanë zgjeruar balancën pozitive me rreth 59 milionë Euro, në sfondin e zgjerimit të transportit ndërkombëtar të pasagjerëve. Për tremujorin e tretë të 2024, flukset valutore hyrëse për ekonominë shqiptarë nën këtë kategori shërbimi, shënuan rreth 145 milionë Euro.
Klan News