SPAK: Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri përfituan fiktivisht 4 mln Euro
Me kërkesë të SPAK është vënë në sekuestro inceneratori i Tiranës. Vendimi ka ardhur pas hetimeve të zhvilluara nga Prokuroria e Posaçme nga ku ka rezultuar se kompania e cila fitoi koncesionin për ndërtimin e inceneratorit me vlerë 128 milionë Euro, ka si pronarë biznesmenët Mirel Mërtiri e Klodian Zoto.
Të dy këta të fundit, të shpallur në kërkim ndërkombëtar për inceneratorin e Fierit dhe Elbasanit. Për impiantin e Elbasanit në kërkim ndërkombëtar u shpall nga SPAK dhe ish-zëvendëskryeministri, Arben Ahmetaj.
Zoto dhe Mërtiri nga hetimi kanë rezultuar të se janë pronarët “de facto” të shoqërisë “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k, thotë SPAK, si dhe janë pronarë të shoqërisë mëmë të saj, themeluar në Hollandë, “Integrated Energy B.V”, ndryshuar më pas me emrin “Geogenix B.V”.
Për të fshehur gjurmët e tyre si pronarë të vërtetë të kësaj kompanie, SPAK thotë se dy biznesmenët kanë përdorur persona dhe shoqëri të tjera.
Po sipas Prokurorisë së Posaçme, Zoto në bashkëpunim me Mërtirin, kanë përfituar në sajë të faturave tatimore të falsifikuara, rreth 4 milionë Euro.
“Nga aktet e administruara deri në këtë fazë të hetimeve, rezulton se shtetasi Klodian Zoto, në bashkëpunim me shtetasin Mirel Mërtiri, kanë përfituar në sajë të faturave tatimore të falsifikuara, vlerën monetare 409,428,000 lekë, ku shtetasi Klodian Zoto është paraqitur dhe ka deklaruar fatura të falsifikuara për punime të kryera nëpërmjet shoqërisë tjetër të tij “Integrated Energy Services” sh.p.k., si nënkontraktor i shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V. S.P.V.” sh.p.k.”
Gjithatu, SPAK thotë se përmes një kompanie të tretë, të quajtur “F.M.O.” sh.p.k. Zoto dhe Mërtiri kanë blerë një pasuri të paluajtshme, me sipërfaqe 611 m2, me vlerë 1 milionë Euro, në qytetin e Durrësit, gjithashtu e sekuestruar.
Sa i takon kontratës për inceneratorin e Tiranës, SPAK po kryen hetime për disa akuza, nga “Mashtrimi me pasoja të rënda”, në bashkëpunim, “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”.
Tv Klan